Kisha katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj sipas të gjitha gjasave do të rrënohet.
Ky institucion fetar sipas famullitarit Don Viktor Sopi, nuk i plotëson kushtet as për së afërmi për t’i zhvilluar aktivitetet e parapara. Ai thotë se vjetërsia e objektit ka bërë që renovimet më mos të kryejnë punë. Për këtë fakt, Sopi tha se i ka njoftuar pothuajse të gjitha institucionet vendore dhe po presin fonde për rrënimin e objektit apo ndërtimin e kishës së re.
“Sipas vlerësimeve që i kemi bërë nuk shihet që është e mençur të bëhet një investim në këtë objekt i cili është ndërtuar në vitin 1927, me kontribut të besimtarëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë. Ky objekt nuk mundi t’i bëjë më rezistencë kohës. Kuptohet se objekti i tillë ka një vlerë artistike, kombëtare dhe kulturore, por restaurimi i tij do të kushtonte më tepër së sa të ndërtohet i ri. Vlerësimi i komisionit në krye me Misin Misinin, do të shqyrtohet edhe prej organeve shtetërore, prej ekspertëve dhe donatorëve të cilët e kanë fjalën përfundimtare”, tha Sopi.
Të rinovohet apo të ndërtohet e re?! Për këtë pyetje përgjegjësit e kishës katolike kanë kërkuar përgjigje edhe tek zyrtarët e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Edhe vlerësimi i tyre është që objekti i tillë është në rrezikshmëri të plotë dhe nuk supozohet që mund të rinovohet dhe të ketë një afat të gjatë renovimi i objektit. Deri më tash nuk kemi bërë ndonjë parallogarit se sa mund të kushtoj ndërtimi i ri i kishës, por jemi në korrespodencë me institucionet përgjegjëse dhe do të shohim se cili projekt do të vendoset për t’u ndërtuar dhe atëherë do të dimë në detaje se sa mund të kushtojë”, tha Don Viktor Sopi.
Pavarësisht që punët për renovimin e objektit të kishës katolike tashmë kanë filluar, famullitari i saj Don Viktor Sopi tha se kisha është në dispozicion të besimtarëve katolik dhe në të po kryhen të gjitha ritualet e parapara. /TV TEMA/