Derbi lokal i takoi ekipit të Kf Çelikut Skuadra e Çelikut nga Ferizaj, sot në derbin lokal përballë skuadrës së Kastriotit arriti fitore të lehtë me rezultat 7:2. Siç edhe pritej, që nga minuta e parë Çeliku u hodh në sulm për të arritur golin e epërsisë, dhe pas shumë rasteve të njëpasnjëshme, golin e arriti në minutën e 23, ku i riu Ardit Jetishi pas disa tentimeve, kësaj here nuk e fali portën kundërshtare dhe shënoi për 1 me 0. Pesë minuta më pas, me anë të Adhurim Jonuzit, skuadra e Çelikut dyfishoi epërsinë, kurse lojtari më në formë këto javë, Liridon Veliu pas një driblimi të mrekullueshëm, kaloi mbrojtësit me radhë dhe heshti portierin me një goditje nga largësia për 3 me 0. Ndodhi kjo në minutën e 38-të. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Lindon Selimi shënoi golin e katërt për Çelikun, dhe me po këtë rezultat dhe mbaroi pjesa e parë. Në fillimin e pjesës së dytë u pa futboll më taktizues, me më pak raste por me një dominim të lehtë nga skuadra e Çelikut. Mirëpo, përkundër dominimit të skuadrës së Çelikut, rrugën e golit e gjeti skuadra nikoqire e Kastriotit, e cila në minutën e 60 të, me anë të Arbon Bajramit arriti të zbutë epërsinë. E pikërisht ky gol, doli të jetë shkas që i bëri lojtarët e Çelikut dhe njëherë të dhezin motorët e tyre. Kështu, pak minuta më pas në skenë prapë doli magjistari Liridon Veliu, i cili shënoi për 5 me 1 në minutën e 75 të. Golin e gjashtë për Çelikun e shënoi Driton Selimi në minutën e 85, dhe kështu mbylli pjesën e parë, mirëpo kjo nuk ishte e tëra që lojtarët dhuruan në fushë, pasi në minutën 88, skuadra e Kastriotit shënoi golin e dytë në ndeshje, kurse më minutat shtesë të ndeshjes Erion Kosumi shënoi golin e shtatë për skuadrën e Çelikut, duke konfirmuar kështu dhe njëherë dominimin e plotë të kësaj skuadre në takimin e sotëm. Duhen përgëzuar çunat e Ahmet Sylejmanit për këtë ndeshje të bukur, me plot aksione të bukura e raste shënimi. Javën e ardhshme, Çeliku pret në shtëpi skuadrën e Vllazërisë nga Zhuri, për të tentuar kështu një tjetër fitore të radhës, e cila do ngriste mëtej skuadrën në tabelë. Në fund, Kastrioti 2, Çeliku 7. Formacioni bazë: Portjer Altin Sahiti, Mbrojtës: Fatlind Nuhiu, Qëndrim Sejdiu, Driton Selimi dhe Mërgim Sefa; Mesfushor: Petrit Rushiti(Fisnik Byqmeti), Liridon Veliu, Erion Kosumi dhe Sulmues: Taulant Hashani (Valon Maksuti), Adhurim Jonuzi dhe Ardit Jetishi (Valon Maksuti). Rezervë: Valon Maksuti, Flamur Uksmajli, Lindon Selimi, Fisnik Byqmeti dhe Shkëlqim Murtezi. Trajner: Ahmet Sylejmani Zyrtar të klubit: Liridon Jetishi dhe Xhelal Sejdiu