Autostrada “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë mund të mos përfundojë në afatin e paraparë, sipas marrëveshjes së nënshkruar. Qeveria dhe konsorciumi ndërtues ishin pajtuar që projekti të përfundojë i tëri në vitin 2018, mirëpo problemet me buxhet rrezikojnë shtyrjen e këtij afati. Me këtë problematikë, Qeveria është përballur thuajse gjithë vitin.
Zyrtarë të “Bechtel & Enka”, thonë se kur është bërë marrëveshja, viti 2018 është propozuar nga ta, duke u bazuar në mundësitë teknike dhe menaxheriale për të kryer autostradën.
Por, kompania është e detyruar që të kryejë punime varësisht nga mundësitë e Qeverisë për t’i shlyer obligimet financiare.
Për këtë të fundit, dy palët janë ende duke diskutuar për marrëveshjen rreth ritmit të punës që duhet të bëhet dhe pagesat.
Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar të japë detaje rreth kësaj çështjeje, pa u finalizuar marrëveshja.
Për vitin e ardhshëm Qeveria ka ndarë 200 milionë euro për vazhdimin e pagesës së ndërtimit të autostradës për Shkup. Ndërkohë, ekipet e angazhuara në autostradë, tashmë thuajse e kanë bërë gati për lëshim në qarkullim 20 kilometërshin e parë.