Lajme

Kështu e komenton Albin Kurti ndeshjen e sotme të Zvicrës

By FerizajPress

June 27, 2018

Albin Kurti ka komentuar ndeshjen e sotme që u zhvillua mes Zvicrës dhe Kosta Rikës. Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se dënimi që iu shqiptu nga FIFA, nuk i ka ndalur shqiptarët e Zvicrës dhe shokët e tyre, transmeton Indeksonline. Kurti ka thënë se kualifikimi i sotëm është shpërblimi më i mirë për Xherdan Shaqirin, Valon Behramin, Granit Xhakën e Blerim Xhemailin. Ky është komenti i plotë i Kurtit: Dënimi i shqiptarëve të Zvicrës dhe të shokëve të tyre të skuadrës, nuk i ndali ata. Edhe sonte kontribuan për kualifikimin dhe vazhdimin më tej të ekipit ku luajnë. Si mërgimtarë ata janë mirëpritur nga Zvicra, e cila është një ndër vendet që shquhen për sistemin integrues të emigrantëve, pa ua shtypur e asimiluar atyre kulturat nga vijnë. Andaj, me vrull e vullnet ata kanë luajtur e kontribuar për Zvicrën në futboll, ashtu si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, më pak të famshëm, që kanë kontribuar me punën e tyre në sektorë të ekonomisë, prodhimit, së fundi edhe artit, kulturës e sportit në Zvicër. Por pasioni i tyre patriotik, ndjenja e tyre shqiptare, u përkthye në lojë të bukur sidomos në atë ndeshje vendimtare, përballë Serbisë. Ndeshje e cila si zakonisht u ngarkua rëndë prej komenteve para e gjatë ndeshjes, jo vetëm nga tifozët, por edhe nga drejtues e politikanë serbë. Kualifikimi i sotmë është shpërblimi më i mirë për ta, dhe shpresojmë që të kenë sa më shumë përballje të dinjitetshme në këtë Kupë të Botës. Urime!