Ferizaj

Këshilli profesionist i urbanizmit synon përmirësimin e gjendjes në qytet

By FerizajPress

February 09, 2018

Ferizaj.09.02.2018. Kryetari i Këshillit konsultativ të profesionistëve në fushën e urbanizmit, i zgjedhur ditë më parë nga qeveria lokale, Arsim Murseli, konsideron se ky këshill ka shumë punë për të bërë, marrë parasysh, siç thotë ai, gjendjen e rëndë urbane në Ferizaj.

Rëndësi më të veçantë, Murseli tha se do t’i kushtojnë Planit Zhvillimor Komunal, për të cilin Kuvendi ka vendosur ta rishqyrtoj. “Nuk mund të them se është gabim, por plani është i paplotë. Ajo pa plotësi duhet të korrigjohet nga ana jonë. Nuk kemi nevojë prapë ta rishqyrtojmë apo ta hedhim poshtë atë, pasi ajo është vetëm një vizion e vizioni është i papërcaktuar apo abstrakt, gjithmonë gjë që mungojnë detajet tjera që do ta përcaktonin rrjetin e ri të rrugëve, formimin e blloqeve banesore, formimin e blloqeve urbane me ç’rast lidhen drejtpërsëdrejti edhe formimi infrastrukturës së re të qytetit, kanalizimi, ujësjellësi, mirëpo edhe objektet e infrastrukturës tjetër siç janë çerdhet. Ne kemi kërkuar që të takohemi edhe me firmën hartuese të Planit Zhvillimor edhe po presim ta kemi një takim të përbashkët ku do të bisedojmë me ta të japim propozime konstruktive të cilat mund t’i japin këtij qyteti pak një kahje të përmirësimit se përndryshe edhe pse thuhet se është punuar me ligje qyteti është jashtë funksional dita ditës”, tha Murseli për televizionin Tema. Murseli tregoi se çfarë propozime do të japin për të përmirësuar gjendjen në qytetin e Ferizajt. “Propozime direke do të bëjmë siç janë rrjeti i ri i rrugëve i cili do të hartohet, sepse ne në gishta i numërojmë rrugët funksionale që janë 3-4 dhe ato gjithmonë janë të bllokuara, përveç kësaj edhe dhënia e lejeve adekuate duke i respektua rregullat nuk mund të ndërtohet edhe pse njerëzit e kanë kuptu vetëm koeficientin e ndërtimit dhe asgjë më shumë edhe ka mbet rrjeti i ri i rrugëve 5-6 metra dhe kemi korridore ku dielli as nuk depërton dhe ato vendbanime nuk janë funksionale pasi nuk mund të jetojnë banorë aty, sa i përket çerdheve, nëse formohen blloqe urbane atëherë çdo bllok urban e ka një çerdhe të fëmijëve, në tekstet shkruan rreth 15 çerdhe mirëpo nuk e kanë destinu sipërfaqen nëse nuk gaboj 3 ishin, edhe pse më mirë mos me pas destinu fare se ato i formon blloku urban e jep edhe hapësirën për çerdhe”, tha Murseli. Sa i përket paralajmërimit të drejtorit të Hekurudhave të Kosovës Agron Thaçi, se ekipet e ‘’INFRAKOS’’-it do të nisin punën në Ferizaj që nga 7 shkurti për të punuar në pjesën e hekurudhës për projektin ‘’Bashkimi i Qytetit’’, Murseli tha se ai nuk ka njohuri fare për këtë çështje, transmeton Televizioni Tema.