Ferizaj

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi: Gjendja në Ferizaj e qetë dhe stabile

By FerizajPress

February 05, 2019

U mblodh Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ku u diskutua fushata për legalizimin e armëve pa leje dhe gjendja e sigurisë në Ferizaj

Paraditen e sotme, në ambientet e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhja e parë në vitin 2019 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, mekanizmi më i lartë ky i sigurisë në nivel lokal. Në këtë mbledhje ku të pranishëm ishin edhe një delegacion nga Ministria e Punëve të Brendshme e kryesuar nga zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka, u diskutua veçanërisht për fushatën e legalizimit të armëve pa leje, si dhe gjendjen e përgjithshme të sigurisë në territorin e Ferizajt.

Para kësaj mbledhje, numrin dy të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e priti në një takim edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu i cili e njohu për së afërmi me arritjet në Komunën e Ferizajt në fushën e sigurisë publike si dhe i konfirmoi gatishmërinë që qeverisja lokale të marr përsipër të gjitha obligimet që dalin nga fushata për legalizimin e armëve pa leje.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, para të pranishmëve, anëtarë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi dhe nikoqirit të këtij takimi, nënkryetarit të Komunës, Naim Ferati, paraqiti angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë fushatë vetëdijësuese, që do të vendoste një sistem kontrolli të armëve në duart e qytetarëve, duke i legalizuar ato dhe kontrolluar kushtet e lejeve përkatëse. Më shumë hollësi për këtë proces, që ka derivuar nga miratimi i ligjit përkatës dhe vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, dha edhe Udhëheqësi i Divizionit për Armë dhe Municion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa. Ai para anëtarëve të KKSB-së bëri të ditura gjitha fazat procedurale që duhet të ndiqen dhe llojet e armëve që përfshihen në procesin e legalizimit. Po kështu, pyetjeve në interes të të pranishmëve i dha përgjigje edhe zyrtarja nga UNDP në procesin e fushatës për legalizimin e armëve, Jeta Tela.

Sipas të dhënave nga organet e sigurisë dhe monitorues të ndryshëm vendor e të huaj, në vendin tonë qarkullojnë diku afro 200,000 armë pa leje në duart e qytetarëve dhe ky proces, pra i legalizimit synon që të zvogëloj këtë hendek si dhe përfundimisht të vë kontroll të tyre.Fushata e lansuar më 17 dhjetor 2018 e që do të zgjas deri më 17 qershor 2019, synon që të ndërgjegjësoj qytetarët e vendit që për armët e tyre të aplikojnë në procesin e legalizimit dhe pas kalimit të filtrave të nevojshëm të kontrollit të posedojnë këtë të fundit, sipas standardeve të kërkuara ligjore, në ndërkohë, pas kësaj periudhe kohore të fushatës, u paralajmërua se edhe masat ndëshkimore për armëmbajtësit pa leje do të ashpërsohen.

Anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi parashtruan pyetje të ndryshme për procedurat e legalizimit të armëve që mëton MPB t’i zbatoj në këtë proces. Vërejtje kryesisht pati për kostot e legalizimit, gjegjësisht aplikimit dhe gjithë dokumentacionit që duhet të grumbullohet për aplikim, mirëpo për të cilat zyrtarët e MPB-së deklaruan se janë në harmoni me parashikimet ligjore të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Kërkesë nga kjo pikë e rendit të ditës, doli të jetë vetëdijesimi më i gjerë i qytetarëve posedues të armëve që të futen në proces legalizimi të tyre.

Pikë tjetër e rendit të ditës, në mbledhjen e drejtuar nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati ishte edhe gjendja e përgjithshme e sigurisë në territorin e Ferizajt. Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara njoftoi të pranishmit se përjashtimisht rasteve të grabitjeve të armatosura të evidentuara së fundmi e për të cilat janë marr të gjitha veprimet e nevojshme të sigurisë, rastet e tjera janë të një shkalle rrezikshmërie më të ulët që derivojnë konstatimin se gjendja e sigurisë në Ferizaj është përgjithësisht e qetë dhe stabile.

Në këtë mbledhje u raportua edhe për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të borës, për të cilat nga të pranishmit u konstatua se është bërë një punë e lavdërueshme në mirëmbajtjen e rrugëve nga qeverisja lokale, duke mundësuar qarkullimin më të lehtë të qytetarëve. Pika të diskutimit në këtë mbledhje ishin edhe paraqitja e raportit të punës së KKSB-së për vitin 2018 në Kuvendin e Komunës dhe hartimi i Planit të Punës, për të cilat u mor vendim që muajin vijues të jetë të gatshme për prezantim para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.