Këshilli i pajtimit të gjaqeve ka shënuar sot 30 vjetorin e themelimit të tij. Në një ceremoni që u organizua në hapësirat e Universitetit të Ferizajt u kujtua nisma e Anton Çetës dhe e veprimtarëve të tjerë që nisën aksionin atdhetar e humanitar të faljes së gjaqeve, që asokohe si dukuri kishte shtrirë rrënjë shumë thellë anembanë vendit.
Veprimtarë e anëtarë të këshillit të dikurshëm lokal të pajtimit, thanë se aksioni i këshillit të gjaqeve ishte organizimi më frytdhënës i kombit shqiptar, duke e quajtur akt etnokulturor.
“Normalisht fillimet ishin tubimi i djemve dhe vajzave të cilët ndjenin nevojën që të bënin diçka dhe ajo diçka ishte momenti i frymëzimit i ngacmimit të ndjenjave patriotike të njerëzve për t’iu bashkëngjitur këtij aksioni. Ne kemi qenë koshient që do të arrihet ajo që në fund u arrit që në tërë Kosovën dhe trojet shqiptare përfundoi vëlla vrasja dhe gjakmarrja tek shqiptarët të shkoj në kujtesën e keqe historike”, tha Ismail Hasani, veprimtar.
“Fillimi i pajtimit të gjaqeve kishte qëllimin e nisjes së bashkimit të shqiptarëve të pajtohemi mes vete se kishim me kënd të luftojmë, me armikun shekullor dhe filluam me pajtimin e gjaqeve mes popullit dhe ku më pas vie edhe organizimi ushtarak deri tek lufta çlirimtare. Veprimtaria e rinisë së Ferizajt nga 18 marsi deri më 7 maj pajtoi 39 gjaqe në komunën e Ferizajt, 18 plagë dhe 18 ngatërresa”, tha Liman Rushiti, veprimtar.
“Grupi për pajtimin e gjaqeve në ato rrethana të veprimit ishte shndërruar në një institucion shpresëdhënës për popullin shqiptarë. Falja e gjaqeve do të kryhej për hirë të unitetit kombëtar e për hirë të politikës ku kjo lëvizje habiti botën e qytetëruar”, tha Xhevat Kryeziu, veprimtar.
Edhe nikoqiri i kësaj ceremonie, rektori i universitetit të Ferizajt Agron Bajraktari, tha se këshilli i pajtimit të gjaqeve ishte kthesa më e rëndësishme historike që pati populli shqiptarë.
“Nga aspekti historik i ngritjes së vetëdijes së organizimit fillimisht paqësor pastaj ushtarak të vendit tonë do të jetë një nga hapat më të mëdhenjë që i ka ndodhur popullit tonë ndër shekuj” ,tha Bajraktari.
Në përvjetorin e 30 të këshillit të pajtimit të gjaqeve u promovua edhe një libër i titulluar “Kronikë pajtimesh”, të autorëve Raif Musa dhe Valdete Bajrami- Musa, të cilët ishin edhe anëtarë të këtij këshilli, transmeton Televizioni Tema.