Ferizaj

KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike: Gjatë natës ndalni kondicionerët, bojlerët e ngrohëset me rrymë

By FerizajPress

December 25, 2024

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë apel gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s përmes një video mesazhi ka thënë se përgjatë këtyre dy ditëve kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm.

Ajo tha se konsumatorët duhet të kursejnë energjinë edhe për ngrohje në këto ditë ftohta ose siç tha Rashiti “të gjenden alternativa të tjera për ngrohje”.

“Po flasim për 1500 MW/h. Rrjedhimisht, si pasojë e kësaj edhe ngrohja me energji elektrike po e bën të vetën dhe kemi mbingarkesa të tepërta në rrjetin e shpërndarjes. Është tejet e rëndësishme që gjithsecili të fillojë ta kursejë energjinë elektrike, ngrohjen ta përdorin sa më pak apo edhe të gjeni alternativa të tjera për ngrohje.

Është shumë me rëndësi që edhe gjatë natës të mos lihen kondicionerët hapur. Pasi edhe pas mesnatës ngarkesa është jashtëzakonisht e madhe. Përgjysmoni përdorimin e ngrohjes. Ndalini bojlerat dhe mundohuni ta kurseni maksimalisht energjinë elektrike sepse rrjeti është duke u mbingarkuar jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje tha se si pasojë e mbingarkesës ka edhe djegie të aseteve elektro energjetike në terren.