Ka shpërthyer përsëri lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, me një deklaratë që nga burgu ua ka dërguar agjencisë serbe të lajmeve “Beta” dhe gazetës “Jedinstvo”, e cila botohet në veri të Mitrovicës, me anë të së cilës ka kërkuar nga liderët serbë që vetë ta formojnë “Zajednicën”, pasi që, sipas tij, këtë nuk do ta bëjë Prishtina.
Kryetari i iniciativës qytetare “Serbia, Drejtësia, Demokracia”, Oliver Ivanoviq, i cili është duke mbajtur burgun prej 9 vjetësh, të cilin ia ka shqiptuar Gjykata e EULEX-it “Për krime gjatë luftës mbi civilët shqiptarë”, u ka rekomanduar liderëve serbë të veriut që ta formojnë vetë “Zajednicën”, pasi që, siç ka thënë ai, “më kotë Prishtinën që ta pronojë ‘Zajednicën” , shkruan sot, gazeta Zëri.
Sipas tij, pritjet që Prishtina ta formojë Bashkësinë e Komunave Serbe janë të kota, andaj ka porositur që hapin e parë për formimin e “Zajednicës” ta bëjnë vetë serbët.
Në një deklaratë në formë të shkruar, të cilën ua ka dërguar nëpërmes përfaqësuesit të vet agjencisë serbe të lajmeve “Beta” dhe gazetës “Jedinstvo” në veri të Mitrovicës, Ivanoviq këmbëngul se Prishtina kurrë nuk do ta formojë “Zajednicën”, për shkak, siç ka thënë ai, “ka probleme të brendshme dhe një opozitë të fuqishme, e cila nuk është e madhe për nga numrat, por llogarit në mbështetjen e popullatës shqiptare të frustruar, gjë që paraqet problem serioz për pushtetin aktual në Prishtinë”.