Lajme

Kërkohet shkarkimi i dekanit të Arteve, akuzohet për falsifikim (DOKUMENT)

By FerizajPress

February 23, 2017

Mbi pretendimet se dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, ka kryer shkelje ligjore dhe ka bërë falsifikim të dokumenteve është paraqitur kërkesa për inicimin e shkarkimit të Selimit.

Këtë kërkesë në Këshillin e këtij Fakulteti e ka paraqitur profesori i arteve, Xhevdet Pantina, i cili pretendon se ka fakte të mjaftueshme për këto shkelje.

Ndërsa dekani, Agim Selimi, i ka mohuar këto akuza, duke thënë se pret që Këshilli i Fakultetit të enjten ta shqyrtojë këtë kërkesë.

Gazeta “Zëri” ka siguruar kërkesën e profesorit Pantina.

Pantina: Kam fakte për shkelje dhe falsifikime nga dekani

Profesori, Xhevdet Pantina, ka thënë për “Zërin” se është i vendosur që t’i luftojë parregullsitë dhe shkeljet në këtë Fakultet.

“Kam dokumente të mjaftueshme që i dëshmojnë këto shkelje dhe falsifikime, të cilat nesër do t’ia paraqes Këshillit të Fakultetit”, ka deklaruar Pantina

Kurse, në kërkesën për inicimin e procedurës së shkarkimit të dekanit Agim Selimi, profesori Pantina ka thënë se këtë kërkesë po e bën me qëllim të ndërprerjes së kundërligjshmërisë në këtë Fakultet.