Ferizaj

Kërkohet paraburgim ndaj tre personave lidhur me rastin “Brezovica”

By FerizajPress

January 07, 2022

Ferizaj, 07 Janar 2022– Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve B.H., A. Ç., dhe I.A, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri A.Ç., si person zyrtar-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

I njëjti sipas Prokurorisë ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 lidhur me nen 31 të KPRK-ës .

Ndërsa, për të pandehurin tjetër B.H., ekziston dyshimi i arsyeshem se i njëjti si person zyrtar- kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishitnë, tani MEA, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale ““Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, për të pandehurin tjetër I.A., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-ës dhe veprë​n penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-ës.