Votat me kusht po konsiderohen të panevojshme që të ekzistojnë më në sistemin zgjedhor të Kosovës dhe si të tilla duhet të hiqen. Analistët dhe ish- anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se vota me kusht aktualisht po e vonon procesin zgjedhor duke shtyrë certifikimin e rezultateve përfundimtare.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, janë 26 mijë e 400 vota me kusht të cilat ende nuk kanë filluar të numërohen. Numërimi i tyre pritet të fillojë mbrëmjen e sotme dhe posa të kryhet do të kuptohet përfundimisht se kush sa vota mori.
Duke qenë se numërimi i tyre merr kohë meqë duhet verifikuar secila votë, analistët thonë se tani më votimi me kusht është i panevojshëm të aplikohet në Kosovë.
Nga vendet e rajonit aktualisht vetëm Maqedonia e Veriut nuk e aplikon votimin me kusht për zgjedhjet që i mbanë.
Drejtori i Demokraci +, Valmir Ismaili, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se 20 vite pas luftës nuk ka nevojë të ketë votim me kusht.
Madje, ai kërkon që të bëhet reforma zgjedhore shpejt dhe votimi me kusht të hiqet dhe qysh zgjedhjet e ardhshme të mos ketë.
“Votat me kusht janë karakteristikë e vendeve post-konfliktuoze ku mungojnë të dhënat e sakta për votuesit. 20 vite pas lufte, Kosova duhet që të bëjë ndryshimet e duhura ligjore që e drejta e votimit me kusht të hiqet. Votimi me kusht edhe po shkakton vonesa në certifikim të rezultateve, është edhe një mundësi e mirë që të keqpërdoret. Prandaj, nga zgjedhjet e ardhshme e drejta e votimit me kusht duhet të hiqet, por KQZ-ja dhe OJQ-të duhet të punojnë shumë më shumë në informim të votuesve, që mos të shkaktohen paqartësi në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Ismaili.
Sikurse Ismaili, mendon edhe ish anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Burjani.
Ai thotë për FaktePlus, se është i panevojshëm votimi me kusht, pasi ky lloj votimi është bërë pas luftës në Kosovë meqë ka ekzistuar një zhvendosje e qytetarëve nëpër Kosovë, problem që nuk ekziston më.
“Po votimi me kusht është i panevojshëm. Ky lloj votimi ka mbetur për shkak të gjendjes se pasluftës, për shkak që qytetarët kanë qenë të zhvendosur në pjesë të ndryshme të vendit. Tash kjo gjendje nuk ekziston fare, pra kjo është për këto qëllime të votimit te të gjithë qytetarëve të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës. Por tash është tejkaluar kaherë kjo gjendje, por ka mbetur në Ligj ende e drejta e votimit me kusht që plotësisht është i panevojshëm”, ka theksuar Burjani.
Ai me tutje ka shpjeguar se duhet bërë ndryshime në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe edhe diaspora të votojë nëpër ambasada dhe misionet konsullore të Kosovës nëpër botë.
“Diaspora duhet të votoj nëpër ambasada dhe shërbime konsullore të Kosovës për t’iu shmangur edhe vonesës dhe për shkak jo të sigurisë së votës dhe manipulimit përmes uebsitit, pra duhet të rregullohen këto tema, por për këtë duhet të ndryshoje ligji për zgjedhjet, pastaj mënyra e numërimit”, është shprehur ai.
Në secilën palë zgjedhje në Kosovë, numri i votave me kusht ka qenë i madh. Në zgjedhjet e vitit 2014 kanë qenë 23 mijë e 984 vota, në zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë 27 mijë e 427, derisa në zgjedhjet e 6 tetorit janë 26 mijë e 400 vota me kusht.