Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Adem Grabovci ka marrë një kërcënim nga disa persona ende të paidentifikuar.
Indeksonline mëson se bëhet fjalë për një letër kërcënuese, e cila i është lënë para derës, në ndërtesën ku jeton Grabovci, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.
Kërcënimi për zyrtarin e PDK-së lidhet me çështjen e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndër të tjera, aty thuhet se nëse kalon kjo çështje në Kuvend, atëherë do të sulmohet me zollë shtëpia e tij.
“Tokat tona i kemi mbrojt me gjak, mos i shit se kerset zolla në shpin tane”, thuhet në këtë letër.
Grabovci e ka konfirmuar për Gazetën Blic kërcënimin, mirëpo nuk ka dhënë shumë detaje. “Letra është gjetur në afërsi të banesës sime”, ka thënë ai.
Ndryshe, para dy dite, në ndërtesën ku banon Grabovci janë parë forca të shumta të Policisë së Kosovës, të cilët janë marrë me rastin në fjalë.