Ferizaj

KEDS përkujdeset për mbi 200 bizneset e Gremes

By FerizajPress

July 05, 2017

Mbi 200 biznese në fshatin Greme të Ferizajt tani do të zhvillojnë më lehtë biznesin e tyre.Këtë ua ka mundësuar KEDS-i pas investimit të radhës që bëri në fshatin më të industrializuar të Kosovës.

Energjia elektrike është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Duke e pasur parasysh këtë, KEDS u jep prioritet zonave ku aktivitetet ekonomike janë më të theksuara dhe ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve. Në këtë aspekt, investimi i radhës është bërë në fshatin Greme të Ferizajt, i njohur me fabrikat e shumta të mobilieve.

Në fshat KEDS ka vendosur dy trafo të reja me një kapacitet prej10(20)/0.4kV të tipit blind. Njëra me fuqi S=630kVA, kurse tjetra S=400kVA , që kanë rritur dukshëm kapacitetet energjetike në këtë anë.

Gjatë këtyre punimeve është bërë edhe implementimi i 135 shtyllave të tensionit të ulët, 28 shtylla të tensionit të mesëm, 5900m rrjet të tensionit të ulët, 1000m rrjet të tension-it të mesëm.

Përveç bizneseve nga këto investime kanë përfituar edhe 275 familje të këtij fshati.

Banorët thonë që pajisjet elektrike nuk kanë pasur shanse t’i përdorin ditën, ato i përdornin vetëm natën, kur tensioni ishte pak më mirë. Tani gjithçka është ndryshe.

Në fshat edhe përfaqësuesit e bizneseve thonë që gjendja ka qenë shumë e rëndë dhe e kanë pasur të vështirë për të zhvilluar biznesin. Tensioni sidomos gjatë ditës ka qenë shumë i dobët.

“Gjendja energjetike më parë ka qenë katastrofale. Tensioni gjatë ditës kurrë nuk kalonte 150 volt. Punën e bënim me rregullatorë të tensionit, por nuk kemi mundur të punojmë me kapacitet të plotë.

Me investimin e ri që ka bërë KEDS-i është rregulluar gjithçka, ka thënë Arben Rexhepi, pronar i fabrikës për përpunimin e qelqit “Loni Gglass”, dhe njëkohësisht sekretar i Shoqatës së Bizneseve në Greme.

Rexhepi gjithashtu shton se kanë bashkëpunim të ngushtë me KEDS-in dhe se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike, prandaj edhe furnizimin e duan të jetë i rregullt.

“Kemi pasur takime edhe me stafin menaxherial të KEDS-it dhe bashkëpunimin e kemi në nivel”, shton Rexhepi.

KEDS po shtrin investimet në të gjithë territorin e Kosovës dhe me këtë synon që të përmirësojë furnizimin me energji elektrike dhe të jetë sa më afër konsumatorëve./Lajmi.net/