Ferizaj

Bizneset e Ferizajt telashe me rrymën (VIDEO)

By FerizajPress

July 25, 2017

Pas shumë përpjekjesh e kërkesash, bizneset që veprojnë në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, më në fund arritën të takohen me drejtorin e Distriktit të KEDS-it në Ferizaj.

Por edhe sot ata patën telashe nga drejtues të këtij institucioni, sepse nuk u lejuan që brenda ne zyrë të qëndrojnë kaq shumë përfaqësues.

Madje këtu nuk u lejuan të qëndrojnë as gazetarët.

Biznesmenët që u larguan nga takimi të revoltuar, treguan për dëmet fizike dhe financiare që po iu shkakton mungesa e rrymës çdo ditë.

“Kam qenë duke punu me kran edhe kur u ndalë rryma mua më është lëshuar krani dhe ma ka thy dorën. Thjesht ne jemi në rrezik derisa nuk e dimë as kur ndalet e as kur vjen rryma”, tha Lirim Dogani.

“Ndalja e rrymës bëhet pa paralajmërim edhe neve na e zë makinerinë me material. Kur ndalet rryma te unë personalisht bëhet dëm 1 mijë euro, që s’jep kush llogari për të”, u shpreh Afrim Breznica.

“Që dy muaj ndalet- lëshohet e askush nuk jep llogari. Tri orë s’kemi, gjysë ore vjen, s’di s’di çfarë papërgjegjësie, kush nuk e dinë as kur ndalet e as kur vjen rryma”, pohoi Nazmi Musliu.

E, derisa shumica e afaristëve prisnin poshtë, disa të tjerë mbanin takim me drejtorin e KEDS-it. Kur takimi përfundoi ata u paraqitën para mediave. Fatkeqësisht nuk patën lajme të mira. Thanë se në takim u fol për një projekt afatgjatë, por që nuk u siguruan se prej sot e tutje do të kenë rrymë stabile.

“Ne kërkuam që me pas rrymë, se neve nuk na intereson a kanë ata leje a si i kanë punët me ministri, por si duket kjo nuk do të ndodhë njëherë. Ne do të kemi edhe një takim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe kemi me mbajt akoma protesta sepse kështu do të falimentojmë. Përgjigjia e drejtorit të KEDS-it është se ne nuk i kemi fajet por ministria”, theksoi Fadil Halili.

Në anën tjetër, drejtori i Distriktit të KEDS-it në Ferizaj, duke njoftuar për historikun e problemit, tha se për të pasur rrymë stabile këto biznese, duhet të ketë një linje 10 kilovatëshe nga  Lipjani e deri në Babush.

“Projekti ka ngec për momentin për shkak se në fshatin Tërrn synohet të ndërtohet një rrugë e cila lidh magjistralen me autostardën dhe ministria e ka një projekt për rrugën aktuale me katër korsi dhe neve s’po na jepet leja për vendosjen e shtyllave në këtë zonë”, tha drejtori Berat Lahu.

Ndërsa, për një zgjidhje të shpejt të problemit, drejtori i KEDS-it në Ferizaj Berat Lahu, la të kuptohet se gjasat janë të vogla.

“Projekti është projekt që mund të realizohet brenda 30 ditësh, në momentin kur ne kemi leje për të. Deri në atë moment ne kemi bërë ndërtim të katër kilometrave rrjet të ri që afekton direkt linjat që po flasim dhe këto katër kilometra kanë eliminuar 8 kilometra tjera të vjetruara dhe që çdo ditë është dashur me i riparu, kështu që ne do të ndërhyjmë aty ku ka prishje sepse çdo ditë ka prishje aty. Ne jemi të obliguar ta ndërpresim tensionin për shkak të rrezikut që mund të ketë”, theksoi Lahu.

Sido që të jetë, derisa KEDS-i të marrë leje nga institucionet e vendit për realizimin e projektit të tyre, rreth 200 biznese që operojnë në këtë pjesë të Ferizajt, druajnë që prodhimtaria e tyre në këtë sezonë do t’u shkoj huq.

Bizneset nuk durojnë më, ata paralajmëruan edhe kallëzim penal ndaj kësaj kompanie. / HATIXHE QAZIMI-MISINI/ TELEVIZIONI TEMA /