Lajme

KEDS fillon ndryshimin e planeve të mirëmbajtjes, ZRRE i jep kohë shtesë. A po manipulohet procesi?

By FerizajPress

January 14, 2017

“Bazuar në të gjeturat, bordi i ZRRE-së konsideron se ka bazë të mjaftueshme për dyshimin se procesi i ndërprerjeve të planifikuara është përcjell me parregullsi, dhe si rrjedhojë ka vendosur ta thelloj hetimin në lidhje me parregullsitë të cilat kanë të bëjnë me:  a. Mos përputhje në mes planeve të dërguara në ZRRE dhe planeve të publikuara. b. Mirëmbajtjet të cilat nuk janë realizuar, përkundër ndërprerjeve për këtë qëllim. c. Kohëzgjatja nga katër orë për secilën mirëmbajtje, pavarësisht natyrës së punëve që duhet të kryheshin. d. Përshkrimet jo adekuate në dokumentet përcjellëse. e. Ndërprerje e shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit”, thuhej në vendim, që lajmi.net e kishte publikuar.

Pas hetimit të parë, ZRRE kishte premtuar se do të dilte shpejt me raportin e preliminar të hetimit ndaj KEDS-it. Kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe ZRRE ende nuk ka publiku raportin përfundimtar të hetimit.

Në bazë të dëshmive që i ka siguruar lajmi.net ZRRE është është duke i dhënë kohë KEDS-it që t’i ndryshojë raportet e mirëmbajtjes dhe të shpëtojë nga ndëshkimi.

Fillimisht më 21 dhjetor të vitit 2016  Neki Sadiku, inxhinier në KEDS, iu kërkonte të gjithë udhëheqësve të distriktit të Prishtinës, që t’i kenë në një folder formularët që i kanë përdorur ekipet e prishjes gjatë muajit tetor 2016.

“Të nderuar, të gjitha urdhëresat e punës për muajin tetor 2016, të distriktit të Prishtinës duhet të jenë në folder, një folder duhet të jenë edhe formularët që i kanë përdor ekipet e prishjes gjatë muajit tetor 2016 në të gjithë distriktin e Prishtinës. E njëjta gjë vlen edhe për muajin nëntor 2016”, thuhet në shkresën zyrtare që e kishte dërguar Sadiku.

Foto: Emaili që ua ka dërguar Neki Sadiku, inxhinier në KEDS, punëtorëve të mirëmbajtjes dhe ua kërkon planet 

Ndërsa të gjitha planet e mirëmbajtjes që KEDS i kishte publike në faqen e tyre në internet i ka fshirë, duke mos lënë asnjë gjurmë.

Më 5 janar KEDS-i kishte mbledhur të gjithë menaxherët e rrjetit në distrikte, koordinatorët e prishjeve e të mirëmbajtjes, duke iu kërkuar që të bëjnë raporte të reja të planit të mirëmbajtjes.

Një punëtor i KEDS-it që ka qenë brenda në takim ka treguar në detaje se çka iu është kërkuar të bëjnë. Ai ka thënë se në takim ka qenë edhe drejtori i rrjetit, Mehmet Koç dhe iu kanë kërkuar të bëjnë raporte të reja për mirëmbajtjen e rrjetit.

“Me 5 janar, nga mëngjesi na kanë thirrë të gjithë menaxherët e rrjetit në distrikte, koordinatorët e prishjeve e të mirëmbajtjes dhe inxhinierët e TS në drejtori, ku aty janë prezantuar edhe drejtori i rrjetit Avni Alidema me vartësit e tij dhe drejtori turk për rrjet Mehmet Koç, ku kanë kërkuar që të bëjmë raporte të reja sipas orarit që e kanë pasur atëherë, për ndaljen e rrymës me kinse kanë bërë revizionim”, ka treguar punëtori i KEDS-it që ka qenë brenda takimit.

Ky punëtor i KEDS-it ka thënë se janë në telashe, sepse po iu kërkojnë raporte në drejtori për daljet ku ka pasur reduktime. Ky zyrtar ka thënë se raportet po kërkohen vetëm për muajin tetor dhe nëntor, por jo edhe për gusht dhe shtator, ku sipas tij, këta muaj nuk është punuar fare në mirëmbajtje.

“Ne jemi në telashe qe një muaj e gjysmë, sepse na kërkojnë raporte në drejtori për këto dalje ku ka pasur reduktime, por kur e kanë analizuar situatën dhe nuk kanë mundur të gjejnë asgjë për t’i mbuluar mashtrimet, dje na kanë kërkuar raporte të reja dhe na kanë treguar oraret ku u ndal rryma për muajin Tetor, Nëntor por për çudi s’po kërkojnë raporte për muajt gusht dhe shtator kur dihet së bash në këta muaj s’kemi punu asgjë, po sigurisht ZRRE ju ka premtu që ua mbulon manipulimet për ata muaj”, ka rrëfyer zyrtari.

Madje ky zyrtar i KEDS-it ka thënë se kanë marr edhe kërcënime që duhet çdo njëri të mbulohet me letra për ato dalje ku ka pasur reduktime.

“Kemi marrë njëfarë lloj kërcënimi që duhet secili prej nesh me mbulu me letra e raporte, qysh të mundemi ato dalje që kemi punu diçka, qoftë se edhe një tel e kemi shtëngurar. Pakënaqësi ka pas nga shumë menaxher e koordinator, që nuk kanë mundësi me ba këtë punë, se mundet me i marr dikush në përgjegjësi, por ata, Avni Alidema dhe ekipi i tij, kanë insistuar vazhdimisht me hartu raporte të rrejshme se na mbulojnë, duke na thënë se ‘na jemi mbrapa, e kryejmë me ZRRE, veç na vyejnë disa letra’”.

Lajmi.net i ka dërguar pyetje KEDS-it më 5 janar për këtë çështje.

Në KEDS e kanë konfirmuar se kanë pasur takim, por interesimi i lajmi.net për këtë çështje iu është dukur  i çuditshëm dhe tendencioz.

Në KEDS kanë paragjykuar interesin e lajmi.net për raportet e mirëmbajtjes.

“Si kompani profesionale ne mbajme mbledhje te rregullta per te organizuar dhe koordinuar operacionet tona. Eshte shume e cuditshme se si kto gjera kaq normale zgjojne interesin e nje gazetari, perderisa qellimet duken tendencioze”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala në një përgjigje me shkrim që e ka kthyer pas 8 ditësh.

Në ZRRE konfirmojnë se i është dhënë kohë shtesë KEDS-it, duke u arsyetuar mbi bazën se Bordi ka kërkuar vazhdimin e procedurave të inspektimit. Por tash inspektimi është i pamundur sepse mirëmbajtja e rrjetit i është ndaluar KEDS-it.

“Raporti i Inspektimit të Mirëmbajtjeve të KEDS për muajt tetor – nëntor 2016, i është prezantuar Bordit, nga stafi profesional i ZRRE i angazhuar për këtë çështje, në mbledhjen e trembëdhjetë (XIII) të Bordit, për vitin 2016.  Pas diskutimeve,  me miratim të Bordit, KEDS-it i është ofruar mundësia për të dhënë përgjigjet e tyre me shkrim në lidhje me parregullsitë e evidentuara nga ekipet e ZRRE gjatë inspektimit. Bordi po ashtu ka kërkuar që të vazhdohet me procedurat e inspektimit dhe pas kompletimit të të gjitha analizave do të vendos mbi masat ligjore. Që do të thotë se, në mënyrë që të merret një vendim sa më i drejt në lidhje me këtë çështje, Bordi në një nga mbledhjet e tij do ta shqyrtoj edhe njëherë Raportin me analizat shtesë si dhe me arsyetimet e KEDS”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së në një përgjigje me shkrim për lajmi.net.

Një zyrtar i ZRRE-së i ka thënë lajmi.net se raporti i hetimit për KEDS-in është përfunduar, dhe është i gatshëm të publikohet, por arsyet ende nuk dihen pse ky raport nuk është bërë publik.

Por në ZRRE kanë vazhduar ta mjegullojnë problemin, duke dhënë përgjigje të ndryshme.

“Sa i përket publikimit të raportit, ZRRE asnjëherë nuk ka premtuar se do të publikohet Raporti në ndonjë kohë të caktuar, pasi që Raporti nuk është përfundimtar dhe është ende në proces të shqyrtimit. Është praktikë e zakonshme e paraparë me procedurat e ZRRE që para finalizimit të çfarëdo raporti së pari të dërgohet për komentim tek palët e përfshira. Në mënyrë të njëjtë  është vepruar edhe me të gjitha raportet e tjera të publikuara deri më tani”, thuhet në përgjigjen e Murtezajt./Lajmi.net/