Editorial

Kauza e rrejshme e VV-së

By FerizajPress

February 25, 2017

Dje, Visar Ymeri e Donika Kada tentuan ta paraqesin si të vërtetë kauzën e tyre se ata janë për bashkim kombëtar dhe se nuk e njohin shtetin e Kosovës. Por, nëse kjo kauzë e tyre, dmth e VV-së për bashkimin kombëtar është e vërtetë, atëherë çfarë rëndësie do të kishte për ta marrëveshja për kufij me Malin e Zi, për të cilën, pothuaj, e shkatërruan Kosovën. Po ta kishin të vërtetë kauzën kombëtare, këtë marrëveshje ata do ta trajtonin si të përkohshme. Sepse, qindra e mijëra hektarë tokë, tokë shqiptare, janë jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë. Me çka do ta bëjnë këta bashkimin kombëtar? Me amblema? Nëse ata i konsiderojnë humbje të përhershme këto 8 mijë hektarë, atëherë çka do të thonë për Ulqinin, për Tuzin, për Plavën e Gucinë. Vetëvendosja, bashkë me LDK-në, nuk e votuan ligjin për forcat e armatosura atëherë kur mund të votohej. Dhe kjo është e pafalshme. Ka qenë kundër interesave kombëtare. Kjo ka qenë humbje shumëfish më e madhe se sa humbja e tetë mijë hektarëve tokë, nëse vërtetë jemi duke i humbur. Lereni Kosovën të bëhet shtet si duhet që të mund t’i mbrojë shqiptarët kudo që janë! Ky është interes kombëtar. Lini anash interesat ruse! Mos e pengoni Malin e zi të futet në Nato! Është interes shqiptar edhe ky! Tentimgrushteti i rusëve në Podgoricë nuk ishte tallje. As shqetësimi i Komandantit të Nato-s për praninë e rusëve në Ballkan nuk ishte farsë. Farsë është kauza e rrejshme e VV-së për bashkimin kombëtar. Kjo është e vërteta!

Shkruan: Lulzim Aliu