Ferizaj

Katërqind euro gjobë zyrtarit të lartë publik, për mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë

By FerizajPress

December 06, 2021

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka dënuar me të holla të pandehurin G.K. për shkak të veprës penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, pranimit të fajësisë, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e dënoi me gjobë në shumë prej katërqind (400) €.

I pandehuri akuzohet se më 1 mars deri më 19 qershor 2020, duke qenë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar që brenda afatit të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurve, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Deklarim, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, në atë mënyrë që nuk ka bërë deklarimin e rregullt vjetor brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.