Kapja e mbi 16 kilogramëve të marijuanës u bë e mundur pas bashkëpunimit të ekipeve patrulluese policore të Gjilanit me Njësinë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve.
“Dje më 13/09/2016 rreth orës 22:00 është arritur që të kapet një sasi e narkotikeve e llojit marijuanë në peshë prej 16 kg e 615 gramë,” thuhet në komunikatën e policisë.
Policia njofton edhe për arrestimin e një personi.
“Është arrestuar një i dyshimtë S.V. i lindur në vitin 1954 i nacionalitetit shqiptar nga Gjilani,” njofton policia.
Policia tregon se edhe ka sekuestruar një makinë, para dhe telefona mobilë.
“Përveç narkotikëve, është sekuestruar një veturë e tipit ‘Mercedes’ me targa të Bujanovcit, 370 euro dhe 4 telefona mobilë,” thuhet më tutje në komunikatë.
Sipas komunikatës edh në pyjet e fshatit Sllubicë të Gjilanit Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka gjetur dhe asgjësuar 57 bimë të llojit “kanabis Sativa” të gjata 1 deri 2 metra.
Policia ende nuk e di se kush i ka mbjellë ato.
Në gusht në Rubrikën “Policia” të “Drejtësisë në Kosovë” u shfaqën pamje të asgjësimit të kanabisit në rajonin e Pejës. /Kallxo.com