Zgjedhje

Kandidati i Nismës për Ferizajn prezanton “drejtorët në hije”

By FerizajPress

October 13, 2017

Kandidati i Nismës për Kosovën në komunën e Ferizajt, Besnik Berisha, ka treguar në Magazina Lokale në Klan Kosova se ai e ka ndërmend të bëjë diçka që nuk është bërë ndonjëherë më parë në Kosovë nga ndonjë kandidat për kryetar komune.

Ai, duke marrë model nga Britania e Madhe, ka vendosur që ta prezantojë ekipin e tij para se të mbahen zgjedhjet, ose “qeverinë nën hije”, siç quhet ndryshe ky veprim.

“Nëse unë fitoj nuk vjen në konsiderim tenderomania, nepotizmi dhe korrupsioni. Kjo është njëra nga armët më të forta që i kam, ndërsa tjetra është se ekipi im është me ekspertë të rinj”, ka pohuar Berisha.

“Javën e ardhshme do ta bëj prezantimin e drejtorëve në hije, hera e parë në Kosovë që dikush do ta prezantojë ekipin ende pa fituar”.

Këtë Berisha tha se po e bën për të treguar se ai nuk bën pazare me emërime të drejtorëve, siç zakonisht ndodh.

Ai ka folur edhe për prioritetet e tij për komunën.

“Duhet t’u sigurojmë ujin e pijshëm, pasi është e tmerrshme që në këtë kohë, në këtë shekull të mos ketë uji të pijshëm”.

“Do angazhohemi edhe në siguri. Gjithashtu në Ferizaj, si gjethka në Kosovë, ekziston nj problem me lojëra të fatit, përfshirja e të rinjve në këto lojëra ka çuar edhe deri tek vdekja, tek vetëvrasja, do angazhohemi në investime në kulturë e aktivitete të tjera për t’i ikur këtij fenomeni”.