Ferizaj

Kandidatët më të votuar për deputetë nga Ferizaj

By FerizajPress

October 09, 2019

Nga numërimi i deritanishëm i votave të kandidatëve për deputetë nga komuna e Ferizajt, del se Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbi 8 mijë vota, pas tij radhitet Hekuran Murati me 7 mijë vota, Haki Abazi me mbi 5 mijë, Dimal Basha me 5 mijë e 500, Enver Haliti afër 2 mijë e 800 dhe Shqipe Metaj-Isufi me 2 mijë e 500 vota.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare për komunën e Ferizajt, prin Elmi Reçica me 7 mijë e 972 vota, pas tij Gazmend Bytyçi me 6 mijë 482 vota, Bajrush Xhemajli me 5 mijë e 608 vota, Mexhide Mjaku-Topalli me 3 mijë e 312 vota dhe Mustafa Grainca me 2 mijë e 867 vota, i cili pas këtij rezultati dha dorëheqje nga strukturat e partisë.

Kurse, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Svarqa ka marrë 4 mijë e 500 vota, përafërsisht njëjtë me Adem Salihajn, Dardan Bibajn dhe Saranda Musliun.

“Ne sillemi diku 4 mijë e 500 vota, të tjerët diku 4 mijë, afërsisht ka vota të njëjta dhe kjo tregon që ne kemi punuar në mënyrë të barabartë të gjithë për një dhe një për të gjithë, nuk kemi pasur ndonjë distancë me përjashtim që unë kam pak më shumë vota se të tjerët diku rrreth 4 mijë e 500 pa u numëruar akoma 7 vendvotime, besoj që votat edhe nga jashtë Ferizajt që do të publikohen do ta nxjerrin ndonjërin përfaqësim. Sa i takon përfaqësimeve mendoj se kandidatë më potencial për të qenë në Kuvendin e Kosovës jemi unë, Adem Salihaj, Saranda Musliu dhe Dardan Bibaj”, tha Svarqa.

Svarqa, thotë se LDK e ruajti votën që e kishte në zgjedhjet e 2017-tës, por nuk e koncentroi edhe tek kandiatët ferizajas.

“Të gjithë kanë marrë vota, Ferizaj nuk ka arritë që ta koncentroj votën në Ferizaj për shkak edhe të numrit të madh të kandidatëve, pasi si asnjëherë më parë LDK-ja ka pasur 7 kandidatë të nominuar nga dega e Ferizajt, qëllimi ynë ka qenë që të rritet vota e partisë me kushtin edhe të rrezikimit të fitores individuale të kandidatëve të partisë, sepse ne kemi vënë interesat e partisë mbi interesin personal dhe mendoj se kjo ka rezultuar që ne te kemi një mobilizim të munguar në këto dy vitet e fundit“, tha Svarqa.

Kurse sa i përket koalicionit AAK-PSD në këto zgjedhje, kandidati për deputet Xhavit Zariqi mori 2 mijë e 100 vota, ndërsa Labinot Tahiri ka arritur të marrë vetëm 1 mijë e 209 vota në Ferizaj.