Lajme

Kadri Veseli në Kongresin Amerikan

By FerizajPress

April 15, 2016

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi kongresmenen Nita Lowey, e cila është në këtë detyrë që nga viti 1989, njohëse e mirë e rajonit të Ballkanit perëndimor, e posaçërisht shquhet si mike e përkrahëse e madhe e Kosovës. Në një komunikatë nga të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës  është bërë e ditur se në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe aspiratat e së ardhmes.

“Veseli e njoftoi Lowey për angazhimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, agjendën legjislative dhe synimet e kësaj agjende. Kongresmenia Lowey, theksoi se rajoni i Ballkanit vetëm nëpërmes dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mund të ecë përpara”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ajo ritheksoi se Kosova gjithmonë do ta ketë përkrahjen e saj.

Veseli bisedoi po ashtu për zhvillimet në vend dhe rajon, si dhe për realizimin e agjendës së Kuvendit, duke mbetur të përkushtuar për procesin e integrimeve euro-atlantike, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

Theks i veçantë iu dha nevojës për një marrëdhënie me cilësi të re në mes të Kosovës dhe NATO-s.