Lajme

Kadri Veseli – kandidat i PAN-it për kryeparlamentar

By FerizajPress

July 09, 2017

Kadri Veseli do të jetë kandidat i koalicionit PDK-AAK-Nisma për Kryetar të Parlamentit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën bashkërisht kanë vendosur që Veselin ta propozojnë për këtë post.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, për Televizionin Publik të Kosovës.

“Kandidat për Kryetar të Kuvendit do të jetë sërish Kadri Veseli”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, sipas Kushtetutës, propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet më shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Pra Veselit i nevojiten të paktën 61 vota, të cilat ende nuk dihet nëse koalicioni PAN i ka.

Kryeparlamentari në të kaluarën është votuar edhe nga deputetët e opozitës – siç ishte rasti me ish-kryeparlamentarin, Jakup Krasniqin.

Veselin vështirë ta votojë dikush nga koalicionet e partitë tjera.

Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër, i pyetur në Zona e Debatit në Klan Kosova, nëse do ta votonin Veselin po që se ai kandidohet nga PAN-i, Kurti është përgjigjur negativisht.

Sipas Kurtit, Veseli s’mund ta bëjë punën e kryetarit të Kuvendit.

Ai ka shtuar se nëse PAN propozon dikë tjetër nga radhët e tyre, atëherë Vetëvendosje do ta votonte atë, njofton Klan Kosova.