Lajme

Kadaj-Bujupi kalon në Vetëvendosje?

By FerizajPress

April 01, 2016

Pas dorëheqjes së papritur të Donika Kadaj-Bujupit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku dha kontributin e saj për 13 vjet rresht, deputetja dhe ish-shefja e GP të partisë së Ramush Haradinajt, së shpejti do të kalojë në Lëvizjen Vetëvendosje për të vazhduar aktivitetin e saj politik.

Burime të KosovaPress-it konfirmojnë se deputetja Kadaj-Bujupi së shpejti do ta zyrtarizojë kalimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kadaj-Bujupi do të kalojë në Lëvizjen Vetëvendosje së shpejti. Kur do ta bëj këtë është çështje kohe, mirëpo kalimi i saj do të ndodhë”, thotë ky burim.

E pyetur nga KosovaPress, Kadaj-Bujupi refuzoi të jap një përgjigje të qartë rreth kalimit të saj në Vetëvendosje, duke thënë se nuk ka asgjë për të shtuar përtej deklaratave të saj dhënë ditëve të fundit.

“Nuk kam çka të shtojë përtej asaj që e kam thënë deri tani. Vendime eventuale për angazhimin tim politik do t’i bëj të njohura gjatë muajit prill”, tha Kadaj-Bujupi.

Ndërsa, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, duke mos e mohuar apo konfirmuar informacionin, i tha KosovaPressit se një gjë të tillë nuk mund ta komentojë.

“Nuk mundemi ta komentojmë një gjë të tillë”, tha Krasniqi.

Kadaj-Bujupi, ka krijuar afërsi me deputetët e Vetëvendosjes gjatë 7 muajve të fundit në kundërshtim të marrëveshjeve të Qeverisë më dy vendet fqinjë, Serbinë e Malin e Zi. Ajo ishte një ndër deputetet e para që hodhi gazin lotsjellës në Kuvend së bashku me deputetët e tjerë të Vetëvendosjes, ndërsa ka spekulime se vendimi i AAK-së për t’u tërhequr nga këto forma kundërshtimi ka ndarë rrugët e saj dhe të AAK-së. /KosovaPress