Lajme

Kaçaniku e Hani i Elezit synojnë fuqizimin e sektorit privat

By FerizajPress

October 05, 2016

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, mbajtën sot konferencën informuese me bizneset e këtyre komunave.

Kjo konferencë është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, ku të pranishëm ishin: kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, kryetari Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, përfaqësues të ATK-së, Doganave të Kosovës, të KEDS/KESCO, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të kësaj ane, transmeton Koha.net.

Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, shprehu zotimin e Qeverisë se Kosovës për të mbështetur vazhdimisht fuqizimin e sektorit privat i cili është gjenerues i vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Më tej, ajo tha se këto konferenca po i organizojmë për t’i diskutuar sfidat konkrete që i preokupojnë bizneset, në mënyrë që të ndërmarrim hapa të duhur institucionalë për të zgjidhur pengesat që shfaqen tek ndërmarrësit.

Znj. Bajrami i informoi afaristët se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në lehtësimin e punës së bizneseve, reduktimit të barrierave administrative dhe burokracisë, përmirësimit të qasjes në financa, dhe se po punohet më tej në rritjen e efikasitetit të administratës shtetërore si dhe lehtësirave tjera për punën e bizneseve. Ajo tha se MTI ka qenë dhe mbetet në shërbim të bizneseve sa i takon zgjidhjes së barrierave tregtare me vendet fqinje, me të cilat janë ballafaquar kompanitë kosovare, dhe kur ka qenë nevoja janë marrë masa reciprociteti, tha ministrja.

Ajo përmendi edhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, e cila lejon qasje në tregun evropian dhe ofron mundësi të mira për kompanitë prodhuese kosovare që të depërtojnë në tregje të reja në vendet e BE-së. Bajrami njoftoi bizneset edhe rreth projektit të certifikimit të produkteve, i cili ka filluar kohë më parë dhe shtoi se ky projekt ndihmon certifikimin e produkteve të bizneseve kosovare sipas standardeve ndërkombëtare të kualitetit.

Ministrja Bajrami u tha afaristëve që MTI do të jetë zë i fortë i mbështetjes institucionale për bizneset në vazhdimësi.