Ferizaj

Ka ndërruar jetë babai i Heroit të Popullit, Driton Islami-TONI, Kadri Islami

By FerizajPress

August 11, 2020

Sot ka ndërruar jetë babai i luftëtarit të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroit të Kosovës, Driton Islami-Toni. Kadri Islami.

Telegrami ngushëllimi  familjes Islami i janë dërguar nga udhëheqës komunal, bashkëluftëtar dhe organizata të dala nga lufta e UÇK-së

Telegram ngushëllimi familjes i ka dërguar i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

“Me dhembje në zemër, trishtueshëm mora lajmin për ndarjen nga jeta të plakut të urtë e fisnik, babait që Kosovës i dha birin e tij, Heroin e Kosovës – Driton Islami. Baci Kadri sot u shua, për të lënë pas vetes, shembullin e rrallë sesi familja e vetja sakrifikohet për atdheun, mësim që brezave do t’i shërbej për të parë qartë, rrugën tonë për farkëtimin e lirisë.  Sot sytë e zemra e tij pushoi së rrahuri, por asnjëherë nuk shuhet kujtimi e vepra monumentale për atdhe e komb që dha familja e tij, më e shtrenjta familje dëshmori. Ngushëllime të sinqerta familjes, shoqatës së familjeve të Dëshmorëve të Kombit, miqve e të njohurve të të ndjerit. Dritë pastë sa të jetë jeta, shpirti e kujtimi i tij!” thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Ferizajt Agim Aliu.

Edhe ish eprori i lartë i UÇK-së, deputeti Elmi Reçica ka  ngushëlluar familjen Islami

“Me pikëllim jashtëzakonisht të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta e bacës Kadri, babait të luftëtarit të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroit të Kosovës, Driton Islami-Toni. Emri i bacës Kadri do të kujtohet dhe nderohet përgjithmonë, familja Islami ishte në mbështetje të plotë si dhe pjesë e organizimit dhe fuqizimit të luftës çlirimtare. Shfrytëzoj rastin që t’i shpreh ngushëllime më të thella gjithë familjes Islami! U prehtë në paqe!” ka shkruar deputeti Elmi Reçica

Telegram ngushëllimi  familjes i ka dërguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega Ferizaj

“Me dhimbje dhe pikëllim morrëm lajmin për ndarjen nga jeta e Babait të Dëshmorit të Kombit, Driton Islami – Kadri Islami. Sot ne bashkëluftëtarët e Tonit,  bashkëndjejmë dhimbjen me familjen Islami, familje e cila dha të birin por edhe dha shumë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, bashkëndjejmë dhimbjen për humbjen e një personaliteti me virtyte të larta kombëtare. Në emër të Organizatës së Veteranëve të luftës, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të luftës së UÇK-së – degët Ferizaj, i shprehim ngushëllime të sinqerta familjes Islami! U prehtë në paqe axha Kadri, i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!” thuhet në telegramin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega Ferizaj