Ferizaj.16.03.2018 . Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu ka pritur në një takim konsultues trupën e ekspertëve të fushës së urbanizmit, gjegjësisht Këshillin konsultativ profesional, përfaqësuesit nga Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, ekipin konsulent nga kompania INSI si dhe stafin profesional komunal.
Në këtë takim u diskutua për përshpejtimin e procesit të hartimit të hartave zonale, proces ky që ka filluar zyrtarisht sot, e që ka një rëndësi tejet të lartë për planifikimin urban në territorin e komunës sonë. Synojmë që ky proces të mbyllet në një afat sa më shpejtë me qëllim që e gjithë territori i Komunës së Ferizajt, të jetë i mirë planifikuar në fazën afatgjate si dhe qytetarëve t’i garantohet siguria juridike për shfrytëzimin e tokës së tyre.
Mbështetje për këtë aktivitete, Komuna e Ferizajt ka edhe nga niveli qendror, përkatësisht Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit.
Ditëve në vijim, ky proces do të konsultohet edhe me publikun përmes debateve publike me qytetarë dhe ekspertë të fushës.