Në këtë qytet, vazhdon të funksionojë ilegalisht “Jugobanka”, e cila ndodhet në fund të sheshit të quajtur “Mbreti Petër” në veriun e Mitrovicës, raporton KTV.
Derisa punimet po kryhen për ndërtimin e këtij sheshi, qytetarët serbë kryejnë shërbimet në këtë bankë.
Kjo bankë ushtron veprimtarinë e saj ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës, e njëjta nuk mbikëqyret nga sistemi bankar i Kosovës. Përveç Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut, degë të kësaj banke ndodhen edhe në Leposaviq, Zubin Potok e Shtërpcë.
Raportet financiare të bankës “Jugobank” në Mitrovicë figurojnë edhe në Bankën Qendrore të Serbisë.
Por, në Bankën Qendrore të Kosovës nuk pranuan të flasin për këtë. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, thonë se nuk kanë asnjë kontroll mbi këtë bankë.
Autoritetet e Kosovës para dy viteve kishin ndaluar veprimtarinë e kësaj banke, por pas një kohe, kjo bankë ka filluar të jetë funksionale.