“I gjithë klani McCain po bën atë që familja e tyre ka bërë prej brezash të tërë, po përballon sfidat me dinjitet”, shkroi senatori republikan Lindsey Graham.
Ish-astronauti Scot Kelley thotë se ka një respekt të thellë për heroin amerikan, që i shërbeu vendit në kohë lufte dhe paqeje, me guxim, dinjitet e dhembshuri për të tjerët. “Një udhëheqës i vërtetë i kohëve tona”, shton ai.
“John McCain, – thotë Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësueve në Kongresin amerikan, – personifikon shërbimin e bërë këtij vendi”.
Por, mesazhe mbështetëse kanë mbërritur edhe nga kampi tjetër.
“Mendimet dhe lutjet e mia janë me John McCain dhe familjen e tij”, shkroi në Twitter kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.
Familja e senatorit të Arizonës njoftoi të premten se, deri tani ai i ka tejkaluar pritshmëritë për mbijetesë, por “përparimi i sëmundjes dhe mosha e avancuar janë faktorë të pandalshëm. Me forcën e vullnetit që e karakterizon, John ka bërë zgjedhjen e tij, që ta ndalojë trajtimin mjekësor”.
81-vjeçari, në mandatin e tij të 6 si senator i Arizonës nuk është paraqitur në punë që nga muaji dhjetor.