Ferizaj

Izet Rushiti zgjedhet anëtar i Bordit të ZRRE-së

By FerizajPress

March 16, 2018

Izet Rushiti nga Ferizaj, është zgjedhur anëtar i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë. Rushiti mori 56 vota nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, për ta marrë këtë përgjegjësi të re. Në një intervistë për Televizionin Tema, Rushiti tha se këtë detyrë do ta ushtroj me angazhim të lartë, duke theksuar se e presin shumë punë të grumbulluara e çështje të lëna pezull. “Me mundin, angazhimin dhe profesionin tim do të jap kontributin në maksimum. Pra, tani do të shkoj në këtë punë të re, sepse qysh më herët kam pas dëshirë që të punoj në këtë sektor ku edhe konkurrova dhe u zgjodha nga deputetët. Sigurisht që jam i njoftuar me të gjitha punët që kanë mbetur në gjysmë dhe pa u marrë shumë vendime gati tash e një vit, shpresoj që bashkë me anëtarët e tjerë të bordit do t’i përvishemi punës dhe do të punojmë në bazë të ligjeve që tashmë janë të miratuara nga Parlamenti i Kosovës. Normal është një sfidë para nesh, sepse ato punë nuk janë të lehta, si për shembull tash e një kohë të gjatë nuk është lëshuar asnjë licencë për ndonjë hidrocentral, centrale me re apo energji diellore. Thjesht vendimet e organit më të lartë kanë munguar, siç është përcjellja e aktiviteteve te kompanive publike, siç është edhe KEDS-i”, tha Rushiti. Për ta pranuar këtë detyrë të re, Izet Rushiti paraprakisht ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në subjektin politik të AAK-së, por edhe si drejtor i kompanisë ‘’Ambienti’’. “Edhe kur kam konkurruar e kam ditë, sepse aty shkruan në momentin kur zgjedhesh nuk të takon të jesh aktivisht në ndonjë subjekt politik. Prandaj, unë me kohë kam dhënë dorëheqje edhe nga anëtari i kryesisë së AAK-së, por edhe nga pozita e nënkryetarit të degës në Ferizaj. Tash e tutje do t’i përkushtohem punës time të përditshme në Zyrën e Rregullatorit”, theksoi Rushiti. Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë është një organ i pavarur i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, vendosjen e tarifave të energjisë, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, transmeton Televizioni Tema.