Ferizaj

Iu dha lamtumira e fundit, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haki Limani

By FerizajPress

April 06, 2025

Në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj, paraditen e sotme u mbajt mbledhje komemorative në kujtim të jetës dhe veprës së luftëtarit të lirisë, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëqytetarit tonë Haki Limani, i cili pas një sëmundje u nda nga jeta ditën e djeshme.

Në këtë mbledhje komemorative ku të pranishëm ishin qindra qytetarë, familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj dhe të pranishëm të tjerë, me fjalë të pranishmëve duke i përcjellë ngushëllimet familjes, bashkëluftëtarëve e miqve të të ndjerit, në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të pranishmëve iu drejtua, shefi i Kabinetit të Kryetarit, Albion Sherifi, gjersa me fjalën e tyre të pranishmëve iu drejtuan edhe Luan Jahiri – Nënkryetar i OVL UÇK në Ferizaj dhe ish Komandanti i kundërajrorëve në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, Kolonel Shiqer Maloku, të cilët evokuan kujtimet me të ndjerin, kontributin e të ndjerit në luftën çlirimtare, trimërinë e qëndresën që e shquante veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haki Limani – Komandant Plaku, i cili ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi për pjesëmarrje në këtë mbledhje komemorative, Shabi Limani, i cili gjithashtu njoftoi se varrimi i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haki Limani, do të bëhet ditën e sotme në Kompleksin Memorial të varrezave të veteranëve në Koshare.