Paraditen e sotme, në ambientet e Qendrës së Kulturës në Shtime, u mbajt mbledhje komemorative në kujtim të të ndjerit, Ahmet Hysenaj – Petrova, afaristi, humanisti, sportdashësi e qytetarit të dalluar, i cili ndërroi jete paraditen e djeshme.
Me fjalë të pranishmëve, duke ngushëlluar familjen Hyseni, miqtë, bashkëpunëtorët e të njohurit të të ndjerit, u paraqitën, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, drejtues nga Federata e Hendbollit të Kosovës, udhëheqësi i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi si dhe Elsa Xheladini nga familja e të ndjerit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në fjalën e tij kushtuar kujtimit të të ndjerit, mes të tjerash tha se ndarja nga jeta e Ahmet Hysenaj- Petrova, është një humbje e gjithë shoqërisë, për faktin se i ndjeri shquhej për karakterin e tij, vullnetin e pasionin të ndihmonte e të kontribonte në çdo sferë të jetës.“Jemi pa fjalë, tash kur morti na mori në botën e pakthim, mikun tonë, familjarin e devotshëm, bashkëqytetarin që gjithnjë rrezatonte mirësi, personalitetin që la shenjë veprën e tij, në mbamendjen e gjithë shoqërisë. Humbëm e po ndahemi përgjithnjë nga i shtrenjti ynë, Ahmet Hysenaj Petrova. Me lot e dhembje, në vend të buzëqeshjes që gjithnjë e kishte me vete, secili nga ne sheh sot, zemër zbrazur, fytyrën e tij, në skaj me kordonin e zi. Ishte plot jetë, mosha ishte thjesht numërim biologjik e asnjëherë pengesë e vrullit të tij. Ishte ai që i jepte këmbë punëve, pa pyetur për lodhjen asnjëherë. Ahmet Hysenaj Petrova kishte shpirt e energji rinore, gjithnjë me plane në duar, njeri i veprimit, i pandalshëm në rrugëtimin e tij gjithëjetësor, për t’i sjellë të mira, familjes e shoqërisë. Sot, zonja dhe zotërinj, secilit nga ne, ndiejmë se na është marr diçka, na është ndarë dhembshëm nga vetja jonë. Bashkë me mikun tonë, na u shua një gëzim që gjithnjë kishim, gjersa takoheshim, bisedonim me të ndjerin. Ahmet Hysenaj Petrova, nuk ishte si gjithë të tjerët. Ishte i veçantë, andaj edhe jeta e tij merr një vlerë e kuptim të veçantë për të gjithë ne.Ishte ai, ndërmarrësi i themeleve të para të ekonomisë e ndërmarrësisë, udhëheqës gjigandësh industrial që shkriu më të mirën e më së shumti nga vetja, duke qenë promotor i prodhimit tonë në botën e jashtme. Ishte ai që talentin e shkriu në dobi jo vetëm për veten, por edhe për miqtë e bashkëpunëtorët e tij, ishte ai që nga pjata plotë e begatitë që i solli jeta nga puna me djersën e tij, ndau edhe për nevojtarët. Ishte Ahmet Hysenaj Petrova, në moshën e tretë por që energjinë e kohën ia falte sportit e rinisë, adhurues e pasionant i pashoq i së cilës ishte, si nga më të veçantit e më kontributdhënësit ndër dekada. Ishte, është fjalë që preu fatet. Vepra e tij është dhe do të mbetet me rrënjë të pashkulura në kujtesën e gjithësecilit. Ka një fjalë që flet zëshëm për jetën, atë çfarë ishte Ahmet Hysenaj. Përbashkues. I tillë ishte.Ai ishte gjithmonë lidhja, ura, dora e shtrirë e miqësisë, familjari i pazëvendësueshëm, ndihmëtar i pashoq, përbashkues i shumë tryezave, familjeve, zyrave, bizneseve, artistëve e sportistëve, vlerave të qytetarisë e personaliteteve, një emër i kudogjendur mes gëzimeve e sheshimit të vështirësive dhe sfidave që sillte jeta.Familja e ngushtë dhe e gjerë e ka për krenari veprën e tij, ne miqtë e kishim nga të rrallët personalitete në tryezat e këndshme miqësore e bashkëpunuese. Ata që e njohën në nënqiellin e të bërit biznes, flasin gjithnjë me notat më pozitive.Për dellin e tij krijues, zhdërvjelltësinë, humanizmin e mirësinë që e karakterizonte çdo hap të punës së tij gjersa sportistët, duke qenë sportdashës i dalluar vet ai, e çmojnë si nga më të veçantit përkrahës e promotor të punës së tyre. Një personalitet të rrallë humbëm. Vdekja e mori afër vetes, për të na dhënë për të satën herë të kuptojmë, se sa e pafuqishme është materia karshi veprës, kujtimeve, të bëmave mirësiplota që lëmë pas vetes. I tillë është edhe Ahmet Hysenaj Petrova, që i ngriti vetes përmendore për së gjalli, me shembullin që dha, me ecjen në rrugën e tij plot valë gëzimi e sfidash.Forcë e pandalshme, adresë gjithnjë mirëkuptuese, dorë mbështetje e kudopranishme, si për familjen, si për ne, shoqërinë tënde, ishe ti, fisnik i rrallë mes të tjerëve, Ahmet Hysenaj Petrova. Pusho i qetë në paqen e paskajshme Daja Ahmet, asnjë fjalë nuk shpreh mjaftueshëm dhembjen tonë, asnjë fjali nuk përthekon energjinë që pakursim ja dhurove gjithësecilit me të cilin bashkëpunove. Pusho i qetë atje në paqen e paskaj, sepse në këtë botë vdekatare, nuk deshe të pushoje asnjëherë. Lamtumirë, qëndrestarë, amshimi yt na varfëroi. Na la pa familjarin e mikun, që gjithçka falte nga vetja, ta bënte tjetrin të ndihej mirë, rehat, shpresëplotë. Kujdesi, respekti, mirësia ishin ato që gjithnjë fale dhe i meritove nga ne për ty, pa kursim. Lamtumirë Daja Ahmet, me ne do të jetosh gjithmonë, mes kujtimeve më të mira. Me dashuri do t’i ruaj e me mall do t’i kujtoj, kafet tona të shpeshta të mëngjesit, bashkëpunimet për sportin, entuziazmin tënd, bisedat gjithnjë të këndshme e produktive me kryefjalë familjen e ecjen përpara të gjithë qytetit e shoqërisë. Faleminderit Daja Ahmet! Dritë pastë shpirti yt i bardhë! Me zërin e Ferizajt e ferizajasve që Ahmet Hysenaj Petrova i dha shumë nga vetja, miqësia e mirësia e tij, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Hysenaj, bashkëpunëtorëve të tij të biznesit, sportistëve dhe sportdashësve, miqve e të njohurve të të ndjerit” përfundoi fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.