Lajme

Italiani i kërkon qiranë muratorit shqiptar, por ai e vret me grushte

By FerizajPress

July 14, 2016

Një shqiptar 39 vjeç vrau me grushte dhe shkelma qiradhënësin e banesës ku jetonte, një italian 51 vjeç. Ngjarja ndodhi pas mesnatës të së martës, në Tivoli të Italisë. Nga mediat italiane mësohet se pasi muratori shqiptar e goditi italianin me grushte në fytyrë dhe me shkelma në trup, ky i fundit përplasi kokën në trotuar. Për një grindje, për shkak të qirasë që nuk ishte paguar, humbi jetën Mauro Colantoni, 51 vjeç, i cili kishte lëshuar me qira një dhomë në banesën e tij. Ngjarja ndodhi mes të martës dhe së mërkurës, në rrugën “Empolitana” në Tivoli. Për këtë rast, po heton policia dhe prokurorët në Tivoli. Viktima, Mauro Colantoni, me dënime të mëparshme për vepra kundër personit nuk kishte familje dhe ishte në vështirësi financiare. Që nga koha që kishte lëshuar me qira dy dhoma të banesës së tij, arrinte të fitonte disa qindra euro në muaj. Një shqiptar 39-vjeçar dhe disa rumunë ishin qiramarrësit e tij. Nga mediat italiane publikohen vetëm inicialet e 39-vjeçarit shqiptar, G. P. Besohet një goditje e dhunshme në fytyrën e italianit dhe shkelmat pasues kanë bërë që ai të binte me kokë në një trotuar. Tronditja e fortë mund të jetë shkaku i vdekjes së 51-vjeçarit. Në një konferencë për shtyp, kolonel Luciano Magrini dhe prokurori i Tivolit, Francesco Menditto, dhanë detajet e ngjarjes. Ai që njoftoi policinë ishte një qytetar, duke vënë në dukje një përleshje të dhunshme. Më pas në vendin e ngjarjes mbërritën karabinierët dhe autoambulancat, por nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë asgjë tjetër përveçse ta deklaronin atë të vdekur. Rreth orës 4 të mëngjesit, shqiptari ishte gjurmuar dhe u arrestua në stacionin e autobusit, në distancë të shkurtër nga vendi i vrasjes. Ai kishte hedhur celularin me qëllimin që të mos gjurmohej. Nga policia mësohet se 39-vjeçari, banues në zonën e Tivolit, prej 15 vitesh, vazhdonte të bënte punë të rastësishme si murator. Vepra penale e pretenduar nga prokuroria është ajo e vrasjes. “Themelore janë afatet kohore. Falë koordinimit me karabinierët u mundësua arrestimi i shpejtë i autorit”, thotë prokurori i Tivoli, Francesco Menditto, gjatë konferencës për shtyp. Trupi i viktimës është gjetur në rrugë, jo shumë larg nga shtëpia e tij. Në trup dalloheshin shenjat e përleshjes./Shqip