20.12.2017. Pavarësisht se vlera e Bitcoinit dhe e kriptovalutave të tjera është duke u rritur në vazhdimësi, e më të është duke u rritur edhe numri i personave që investojnë madje edhe nga Kosova, investimi në këto kriptovaluta po vlerësohen si të rrezikshme.
Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Lulzim Ismajli në një intervistë për Telegrafin ka thënë se investimi në Bitcoin dhe kriptovaluta të tjera ka rrezikshmëri të madhe.
Sipas tij, ata të cilët bëjnë investime në këto monedha virtuale rreziqet dhe pasojat i bartin vetë pasi që ata nuk kanë ku të ankohen.
“Banka Qendror e Kosovës, e ka vlerësuar me kujdes çështjet e Bitcoinit dhe të kriptovalutave tjera, por duke i parë këto investime që po ndodhur nëpër botë dhe në Kosovë kemi dal me një komunikatë lidhur me rreziqet që sjellin këto investime, pasi nuk i mbikëqyr dhe nuk i rregullon asnjë autoritet vendor, e as ndërkombëtar, pra do të thotë nuk është prapa kësaj valute”, ka thënë Ismajli.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Lulzim Ismajli, ka thënë se investimet të cilat i bëjnë qytetarët e Kosovës në Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera, rreziqet i bartin vet pasi që nuk kanë ku të ankohen për rimbursim të mjeteve në rast të humbjeve.
“Qytetarët të cilët investojnë në këto valuta dhe mund të kenë humbje nuk mund t’i drejtohen institucioneve vendore, për t’i kthyer këto mjete dhe nuk mund të kërkojnë prej institucioneve financiare në vend që t’ua kthejnë mjetet sepse BQK-ja nuk rregullon e as nuk e mbikëqyr dhe as nuk i qëndrojnë prapa këtyre kriptovalutave”, tha Ismajli.