Ferizaj

Ismaili dhe Aliu thonë se do ta ndërtojnë spitalin e Ferizajt

By FerizajPress

November 07, 2017

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe kandidati për Kryetar të Ferizajt nga radhët e kësaj partie, Agim Aliu, janë takuar sot me personelin shëndetësor të këtij qyteti.

“Nuk është e tepërt që në çdo rast t’ju falënderojmë për shkak të punës specifike që bëni. Edhe për faktin që punën e bëni në kushte jo të mira”, u tha Aliu mjekëve.

“Është përgjegjësi e jona që gjendja të ndryshojë”.

Aliu insistoi që gjendja do të ndryshojë me 22 tetor, dhe shtoi se 70% e qytetarëve kanë kërkuar ndryshim.

“Ju e dini se prioritet kryesor për mua është ndërtimi i spitalit”, tha Aliu.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, që po ashtu ishte prezent në këtë takim, i tha Aliut se në ditën e dytë do të shkojë tek ta me projekt në dorë për ta ndërtuar spitalin e Ferizajt.

“Nuk e meritoni as ju mjekë në kushtet që punoni përkundër përgatitjes akademike që keni, vini në situata të palakmueshme për shkak të mungesës së barnave e kushteve të punës”, njofton Klan Kosova

Ndërkaq, Kadri Veseli tha se premtimet e tyre me në krye Agim Aliun nuk janë premtime dhe fjalë por punë të realizueshme.

“Ju shërues të popullit do ta keni partner të fuqishëm Agim Aliun në sektorin e shëndetësisë”, tha Veseli.