Shukri Buja është njëri prej të përfshirëve në aktakuzën e prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj. Ish-udhëheqësi i UÇK’së për Zonën e Nerodimës thotë se prokurori s’kishte njohuri profesionale kur nisi hetimin e listave të veteranëve.
Thotë se Blakaj nuk dinte kontekstin politik të krijimi të UÇK’së. Shukri Buja thotë se është e lehtë kthimi i listës së veteranëve në numrin real. Kërkon të merret një vendim politik për t’i hequr nga lista ‘veteranët’ e Ministrisë së Brendshme, të mbrojtjes, të FARK’ut, të shtabeve të lagjeve etj. Kërkon që për 19 mijë veteranët e tepërt të merren në përgjegjësi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa.
Shukri Buja, dikur deputet i PDK’së, tash i papunë, ish-udhëheqës i UÇK’së për Zonën e Nerodimës është përfshirë në një aktakuzë për manipulime me numrin e veteranëve. E njëjta aktakuzë ende s’ka shkuar në Gjykatë, por, aty janë edhe gjithë emrat e Komsionit për Verifikimin e statusit të veteranit. Në mesin e tyre është edhe ish-Shefi kryesor i UÇK’së, Agim Çeku, i cili tha sot se s’ndihet fajtor për akuzat që e rëndojnë.
Mirëpo, ish-Komandanti i Zonës së Nerodimës, Shukri Buja, e ka gjetur fajtorin pse në listës e veteranëve janë afër 20 mijë persona më shumë se sa numri i luftëtarëve real të UÇK’së.
Ai thotë se ishte një vendim politik i Hashim Thaçit e Isa Mustafës që kishin vendosur t’i përfshijnë në listën e veteranëve edhe anëtarë që kurrë s’kishin qenë në UÇK përfshirë anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes etj.
“Ky numër është rritur me vendime politike. Për shkak të problemeve që kemi apsur edhe pasluftës mes formacioneve të ndryshme gjatë luftës. Është bërë një marrëveshje politike ndërmjet Hashim Thacit dhe Isa Mustafës. Është njohur statusi i veteranit edhe për kateogri tjera”, thotë Buja, në një bisedë për Express, të shtunën.
Shukri Buja konsideron se së pari duhet të merren në përgjegjësi udhëheqësit kryesorë të Shtetit dhe të UÇK’së para se të kërkohet përgjegjësi prej një Komisioni që ka pasur përgjegjësi tepër të vogla.
“Në fakt, në bisedë me prokurorin, i kam thënë qartë se nuk mund ta marrësh në pyetje Shukri Bujën pa e marrë Hashim Thacin, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, Isa Mustafen”, thotë Buja.
Por, a është frikësuar Elez Blakaj të intervistojë ish-Shefin e SHIK’ut, ish-udhëheqësin politik të UÇK’së dhe ish-Shefin e Zonës së Dukagjinit?
Shukri Buja s’ka përgjigje. Vetëm thotë se prokurorin e ka njohur edhe më herët dhe ka respekt për te.
“S’hyjë nëse ka pasur guxim apo jo. Me Prokurorin kam luajtur futboll. Kam respekt për te”.
Ky ish-udhëheqës i luftës thotë se është e lehtë të ulet numri i veteranëve. Thotë se duhet vetëm një vendim politik.
“Duhet një vendim politik që të përjashtohen nga lista që të hiqen ata që janë me vendime politike.Është më tragjikja, janë pranuar në kuadër të veteranëve edhe ish-policët e Serbisë, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. S’ka pasur asnjë të bëjë me UCK”, ka këshilluar Buja, aktualisht pjesë e NISMA’s për Kosovën.
Shukri Buja ka qenë Kryetar i Lipjanit me Partinë e Hashim Thaçit dhe përballet me akuza edhe për punën në nivelin komunal.
Por, për rastin e veteranëve, ai ka një tjetër shpjegim kur flet për aktakuzën e Elez Blakajt. Thotë se prokurori i dorëhequr nuk kishte njohur profesionale për luftën dhe UÇK’në.
Prandaj, ka thënë se nuk ka dhënë fare deklaratë kur është intervistuar muaj më parë.
“Së pari nuk ka aktakuzë. Pa u publiku dhe me u marrë vendimi s’ka aktakuzë. Jam ftuar nga prokurori Blakaj në hetim për këtë cësthje. Isha me avokatin. E kam konsideruar se Prokurori Blakaj nuk është profesional për të trajtuar çështjen e ushtrisë për shkak se nuk ka njohur rrethanat e formimit të UCK’së dhe as funksuionimin e ushtrisë, as rrethanat politike. Nuk kam dhënë deklaratë. Jam heshtur. S’kam pranuar me dhanë kurrëfarë deklarate”, ka treguar Buja, për Express.
Ai ka thënë se nëse dikush është fajtor pse ka hyrë dikush në lista të veteranëve janë komandantët e brigadave dhe të tjerët që kanë nënshkruar aplikacionin e veteranit. Ka thënë se kompetenca e komisionit ka qenë vetëm themelimi i komisioneve tjera për verifikim.
“Anëtarët e Komisionit s’kanë asnjë faj. Komisioni është formimin e Komisioneve, ne kemi aprovuar Komisionet, formularin e aplikimit, formën e certifikatës. Kanë qenë më shumë punë të Komisionit që s’kanë pasur me punë verifikimi”, ka shtuar ai.
Buja ka thënë se nuk e kanë miratuar listën përfundimtare me veteranë meqë e kanë parë se ka pasur shtim të numrit të tyre. U është lënë në përgjegjësi komandantëve të Zonave që nëse dikush ka hyrë me mashtrim të japin ata përgjegjësi.
“Secila Zona e ka pasur përgjegjësinë. Ne mbledhjen e fundit të Komisionit asnjë nga komisioni s’ka pranuar të votojë listën finale. Nuk e kemi aprovuar por secili kemi marrë përgjegjësi për Zonën e vet”, ka shtuar ai.
Buja thotë se pse është përfshirë në hetimet e Prokurorit Blakaj është fakti se ka deklaruar se i pranon si veteranë të UÇK’së gjithë pjesëtarët që kanë marrë pjesë edhe në luftën e Maqedonisë e Luginës së Preshevës. Thotë se me këtë qëndrim janë pajtuar gjithë anëtarët e Komisionit.
“Ne s’mund t’i dëmtojmë ata njerëz që kanë marrë pjesë në Maqedoni e Luginë të Preshevës. Ka qenë një vendim i Komisionit që t’i pranojnë ata që kanë marrë pjesë në këto territore”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, Buja e ka të qartë se secili udhëheqës i luftës e ka ditur se sa ka qenë numri real i veteranëve.
“Secili Komandat e di sa ushtarë ka pasur”, ka thënë ai.
Aktakuza e prokurorit të dorëhequr është bllokuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk është dërguar në Gjykatë pavarësisht se posa prokurori të nënshkruan një aktakuzë e njëjta duhet të përcillet për në institucionin që ndan drejtësinë.
Në ditën kur u dha lajmi se është dorëhequr prokurori, institucioni i akuzës lëshoi një njoftim se ka vetëm hetime por jo edhe aktakuzë për mashtruesit e statusit të veteranit. Pastaj, u tha se ka draftakuzë, një përkufizim që s’është i njohur në Kodin Penal, dhe se drafti i aktakuzës është vetëm derisa Prokurori e ka të panënshkruar aktakuzën.
Sidoqoftë, dëmi që i bëhet Shtetit, sipas aktakuzës së nënshkruar nga Prokurori i dorëhequr, është afër 40 milionë euro në vit.
Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore. Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.
Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.
Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.