Ferizaj

Ish-punëtorët e fabrikës së tubave ende në pritje të takimit me kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Kosovës

By FerizajPress

May 28, 2016

Ferizaj,28 maj.2016. Ish-punëtorët e fabrikës së tubave sot zyrtarisht kanë marrë konfirmimin se të mërkurën do të takohen me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli.

Ndonëse që tri javë janë futur në grevë me kërkesa të qarta, ata deri më sot nuk i ka takuar askush nga institucionet e pushtetit qëndror.Thonë se pavarësisht ecurisë së bisedimeve nuk do të heqin dorë nga kërkesa legjitime e tyre, ndërsa nuk përjashtojnë edhe masa tjera të presionit sindikal.

Kryetari i sindikatës së kësaj ish- fabrike, Ali Azemi ka thënë se përfundimisht ka marrë sot konfirmimin zyrtar për një takim të mundshëm të mërkurën me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli.Ai është shprehur se pas këtij takimi gjërat do të lëvizin për së mbari.

“Tashmë janë bërë tri javë që jemi futur në grevë dhe vetëmsot ka arritur kërkesa zyrtare nga kabineti i kryeparalamentarit për një takim me 1 qershor.Kjo është më e reja, ndërsa kryeministri deri më tani nuk ka treguar gadishmëri për të na takuar”, ka thënë Azemi.

Edhe përkundër kësaj këta punëtorë janë shprehur këmbëngulës se do të vazhdojnë të qëndrojnë derisa ta realizojnë të drejtën e tyre të kompensimit material.

Thonë se e drejta është në anën e tyre dhe për të do të luftojnë deri në fund.

“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë deri në realizimin e së drejtës për kompensim material”, ka thënë Azemi.

Shumica e këtyre punëtorëve të shtyerë në moshë e kanë të vështirë tu përballojnë kushteve të grevës.Shprehin habinë se pse ky hezitim kaq i madh për t’i takuar kur dihet se ligjërisht e drejta është në anën e tyre.

Pavarësisht ecurisë së bisedimeve me zyrtarët e lartë të pushtetit, ata shprehen të bindur se më në fund e drejta e tyre do të triumfoi, në të kundërten kanë edhe opcionet  e tyre rezervë të presionit.