Sot në qytetin e Ferizajt, në lokalet e Shkollës së Mesme Bujqësore, “Zenel Hajdini” u mbajt një eveniment i rëndësishëm kulturor, ku u festua 62 vjetori i themelimit të ish Shkollës Normale me të njëjtin emër, e cila punoi për 16 vite( 1961-1977).
Këtë përvjetor të rëndësishëm, ku u panë shokë e shoqe gjeneratash, që nuk ishin parë për 6 dekada, e organizuan për nderë të 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport dhe “Klubi i intelektualëve ferizajas”, e ku të pranishmit evokuan e dëgjuan rrëfime e fjalë miradie nga mësimdhënësit, e nxënësit e dikurshëm, emra të njohur që kishin kaluar nëpër bankat shkollore të kësaj shkolle, që bashkë me Gjimnazin ishin shkollat më prestigjioze të qytetit, që tubonin nxënësit më të mirë të komunës tonë, por edhe të komunave përreth dhe nga të gjitha viset shqiptare të ish Jugosllavisë.
Pas intonimit të dy himneve, të pranishmit e shumtë i përshëndeti duke u dëshiruar mirëseardhje Drejtori i Drejtorisë komunale të Arsimit, zotëri Afrim Llabjani, i cili pasi tha se “shqiptarët luftën për liri kombëtare dhe arsim gjatë rrugëtimit të tyre shekullor si binom kombëtar asnjëherë nuk i ndanë. Në këtë vend ku jemi këtu nga viti 1965, e katër vite më herët në shkollën teknike dhe shkollën fillore “Gjon Serreçi”, u themelua Shkolla Normale, që me kuadrot që nxori nga gjiu i saj u bë fanar ndriçues i arsimit dhe edukimit në disa komuna përreth, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Hapja e Shkollës Normale ishte një kumt ngazëllyes se populli i arsimuar nuk mund të mbahet rob siç kishte qenë. Këtë e dinin fort mirë edhe armiqtë tanë. Prandaj, sot kur festojmë këtë përvjetor të 62, përulemi para atyre mësimdhënësve e nxënësve që u bënë pishtarë të arsimit që ndriçuan mendjet e kombit. Ju ishit ndriçues të mendjes së kombit, prandaj ndihemi krenar sot para jush e bashkë me Ju. Ju jeni ata që duke ndriçuar mendjen e kombit, keni vënë kështu themelet e shtetit tonë të pavarur, të RKS. Në emër të Kryetarit të Komunës zotëri Agim Aliut dhe organeve tjera komunale, DAK, u përshëndes, për tu dëshiruar nderim e shëndet, mirënjohje e përkulje deri në flijim, për këto 62 vite të angazhimit tuaj në iluminimin e popullit”- përfundoi zotëri Llabjani.
Pastaj fjalën e mori Jusuf Musa ish nxënës e më vonë profesor dhe historian, që në fjalën e tij, foli për historikun e kësaj shkolle dhe punën e suksesshme të 13 gjeneratave sa punoi kjo shkollë. Shkolla Normale ishte themeluar me vendimin Komunal të Ferizajt nr.04-11073-1-61 më datën 13 korrik të vitit 1961. Shkolla Normale punoi nga viti 1961-1977 me 13 gjenerata 1145 kandidatë të rregullt dhe 329 me korrespondencë pa shkëputje nga puna. Pra shkolla Normale nxori 1474 mësues të cilët pastaj punuan anë e kënd viseve shqiptare. Prej të gjithëve 250 ishin femra dhe 895 meshkuj. Krahas nxënësve shqiptarë, nxori edhe mësues serbë 523 sish 461 të rregullt dhe 62 me korrespondencë, 312 femra dhe 149 meshkuj. Prej atyre që kryen këtë shkollë të mesme, 359 mbaruan edhe fakultetin. Në vitin e parë 1961/62 u regjistruan 126 nxënës, disa lëndë mbaheshin në gjuhën serbokroate për mungesë kuadri në gjuhën shqipe. Ishin këtë vit 12 mësimdhënës, 7 shqiptarë e 5 serbë.
Drejtori i parë ishte zotëri Fejzullah Çerkini.Në vitin e dytë u rrit numri i mësimdhënësve nga 12 në 19 sish, tre prej tyre me fakultet të kryer. Mësueset e para që diplomuan ishin 11, të cilat siç tha Hanëmshahe Ilazi-Sopa njëra ndër të diplomuarat, profesori i pedagogjisë, Dr. NJAZI ZYLFIU, që sot në karrocë kishte ardhur për të takuar nxënësit dhe kolegët e kësaj shkolle, nxënëset femra para diplomimit i dërgonte nëpër fshatra që ta mbaronin praktikën, që të shëmbëllenin me Afërditë e Sterjo Spasses, t’i shihnin fshatarët që hezitonin t’i dërgonin vajzat në shkollë.
Prej themelimit, përfundoi fjalën e tij Isuf Musa, e deri në përfundim pas 16 vjetësh në këtë shkollë kanë përfunduar 122 arsimtarë e profesorë shqiptarë që ishin nga të gjitha viset shqiptare të ish RSFJ-së, ashtu siç ishin edhe nxënësit nga këto vise. Nga nacionaliteti serbë punuan 23 mësimdhënës.
Kishte nga ata që e kryen këtë shkollë, pasi mbaruan këtë rang shkollimi të mesëm, që pasi mbaruan studimet adekuate të ktheheshin mësimdhënës në këtë shkollë. Kishte të tillë që pasi e kishin mbaruar këtë shkollë mësuesie, kishin mbaruar studimet, ishin kthyer këtu mësimdhënës, madje ishin bërë edhe drejtor të saj. I tillë ishte shpirtndrituri Prof i gjuhës dhe letërsisë shqipe Skënder Salihu.
Profesoresha Hanëmshahe Sopa-Ilazi, që i takonte gjeneratës së parë të kësaj shkolle prestigjioze, pasi përshëndeti tre profesorët e kësaj shkolle që ishin prezentë: Xhevat Koshin, Dr.Njazi Zylfiun dhe Dr.Isak Shemën, tha se kur u themelua Shkolla jonë Normale, që për komunën tonë, komunat përreth dhe viset tjera shqiptare në ish RSFJ ishte sikur Normalja e Elbasanit, që luajti rol të rëndësishëm për arsimimin e popullatës shqiptare, që në vitet ’60 ishim ende 40.7% analfabetë! Ishin vite të rënda ato kur ne ishim nxënës të kësaj shkolle. Sapo kishte përfunduar aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, ku ishin dërmuar prindërit tanë, e po vazhdonte aksioni për shpërnguljen tonë nga trojet tona për Turqi. Ishin vitet kur për një fjalë, për jë libër, për një veshje kuq e zi shkohej me vite në burg, ose përjashtoheshe nga shkolla. Ne nxënësit e gjeneratës së parë jemi takuar disa herë dhe takimet i kemi bërë tradicionale çdo vit të hënën e fundit të muajit maj.
Dr. Ismail Hasani, sociolog, ish nxënës i kësaj shkolle në vitet 1968-73, foli rreth ndikimit kulturor të mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle në rrjedhat kulturore të qytetit në Ansamblin e këngëve dhe valleve “Kastriotët”, në Teatrin e Qytetit, festivalin “Kosovarja këndon” dhe Ansamblin “TRIX” që ishin emblema kulturore të qytetit.
Pastaj kujtime nga ditët shkollore kujtime evokoi edhe gazetari Rexhep Rifati, kurse nga mësimdhënësit të pranishmit i përshëndeti Dr. Isak Shema, mësimdhënës i viteve ’70 para se të shkonte mësimdhënës letërsie në Fakultetin Filozofik të UP-së.
Tribuna për 62 vjetorin e themelimit të ish Shkollës Normale ” Zenel Hajdini” të Ferizajt kaloi në një atmosferë solemne ku u takuan të gjitha gjeneratat e kësaj shkolle prestigjioze.
Përgatitur nga Enver Zhinipotoku, ish nxënës i shkollës Normale, profesor në pension