Ish- Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj është arrestuar nga autoritetet turke në Turqi. Lajmin për arrestimin e Nezirajt, e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Në një përgjigje për ‘Kallxo.com’ ai ka thënë se janë të njoftuar për arrestimin e tij, ndërsa nuk ka dhënë detaje se cila ishte arsyeja e arrestimit.
“Po rasti është i njohur për ne, qytetari i Kosovës Florim Neziraj nga Komuna e Kaçanikut. Florimi ka qenë në paraburgim për 4 ditë në Antalia, pastaj është liruar dhe iu kanë kthyer të gjitha dokumentet. Ne jemi në kontakt me zotëri Nezirajn”, tha Pacolli.
I kontaktuar nga kallxo, ish-kryetari i BIK-ut në Kaçanik, Florim Neziraj, ka mohuar të jetë arrestuar.
“Jam në Antalia me vëllezërit në pushime. Nuk jam arrestuar, nuk është e vërtetë”, tha Neziraj.
Ndërkaq, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë konfirmuar ndalimin e një shtetasi të Kosovës më 6 Korrik në Turqi, por nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme në lidhje me rastin.
“Ne kemi informacione se me datën 6 korrik është ndaluar një shtetas i Kosovës në Turqi. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet Ligjore”, ka thënë një zyrtar nga MPJ.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj ishte shkarkuar nga pozita pasi lejoi që në xhaminë kryesore të qytetit të lajmërohet vrasja e liderit kosovar të grupit terrorist ISIS, Lavdrim Muhaxheri.