Grupi militant Shteti Islamik (IS) ka liruar disa nga 300 punëtorët e një fabrike të çimentos, që janë marrë peng këtë javë, në verilindje të Damaskut.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, ka thënë se zyrtarët lokalë kanë siguruar një marrëveshje me Shtetin Islamik, për të liruar 170 punëtorë që mbahen peng qysh më 6 prill.
Shteti Islamik ka kapur punëtorët e fabrikës Al-Badia, pasi ka sulmuar forcat qeveritare të Sirisë në zonën ku ndodhet fabrika.
Televizioni Shtetëror i Sirisë ka thënë se IS-i ka zënë robër 300 punëtorë dhe kontraktorë.
Agjencia e lajmeve Amaq, e afërt me Shtetin Islamik, ka thënë se grupi militant nuk do të lirojë 20 punëtorë që konsideron se u përkasin milicive pro-qeveritare.
Lufta civile në Siri ka hyrë në vitin e pestë.
Mbi 270,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen.