Ferizaj

IPK do të hetojë përdorimin e armës nga polici te i dyshuari për vrasjen në Ferizaj

By FerizajPress

May 30, 2022

Një zyrtar i Policisë së Kosovës në orët e mbrëmjes së 28 majit, dyshohet se me armë zyrtare ka gjuajtur në drejtim të Q.J., të pandehurit për vrasjen e 30 vjeçarit, G.H. në Ferizaj. Sipas njoftimit të policisë, kjo kishte ndodhur pas disa thirrjeve të policëve civilë ndaj të pandehurit, i cili sipas policisë kishte tentuar edhe ta përdorë armën.

Lidhur me këtë, Inspektorati Policor i Kosovës në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe disa veprime hetimore për të parë se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.

Sipas IPK-së, me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore.

IPK ka thënë se në këto veprime hetimore përfshihen, përveç tjerave, edhe identifikimin e disa kamerave të sigurisë të cilat kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti.

Tutje, IPK ka thënë se hetuesit pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorin kompetent duke përfshirë edhe rezultatet e ekzaminimeve të ndryshme forensike, mjeko-ligjore, balistike e të tjera.

“Më 28 maj 2022 pas mesnatës, hetuesit e IPK-së janë njoftuar për rastin në fjalë ku  sipas informatave fillestare në Ferizaj një zyrtar policor kishte përdor armën e tij zyrtare duke gjuajtur në drejtim të një personi që dyshohet të ketë qenë i armatosur dhe i cili dyshohet për vrasje që kishte ndodhur pak më herët në lokacionin e njëjtë”, ka thënë IPK.

Sot, Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Q.J., për vrasjen e viktimës, G.H., 30 vjeçar.

Në një njoftimin e gjykatës është thënë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë së Ferizajt, me ç’rast është caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftim.

Tutje është treguar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Pak pas mesnatës së 28 majit, rreth orës 00:53, G.H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi ai u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q.J..

Në dosjen e prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën Themelore të Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q.J., i cili është vëllai i rep-këngtarit Buta, i ka shkuar mbrapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Viktima G.H. së bashku me shokët e tij që ishin në veturë janë ndalur në një market në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

Në dosje thuhet se gjatë kohës sa dëshmitari ishte brenda marketit ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe menjëherë ka vërejtur viktimën të kërrusur dhe të lënduar si pasojë e të shtënave.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

“Me deklaratën e dëshmitarit, i cili ka deklaruar se përderisa ka qenë së bashku me shokët e tij, një ndër ta edhe tani i ndjeri, i pandehuri Q.J. ju ka ardhur nga mbrapa me veturën e markës “Audi A7” dhe përderisa vet ka qenë brenda marketit, ka dëgjuar disa të shtëna dhe menjëherë ka vërejtur tani të ndjerin G.H. të kërrusur dhe i lënduar si pasojë e këtyre të shtënave nga ana e të pandehurit Q.J., prandaj menjëherë e ka hipur në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente, mirëpo aty nga mjekët ishin njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Deklarata e këtij dëshmitari është njëra nga provat të cilat janë siguruar nga ana e prokurorisë.

Arma e sekuestruar që është përdorur për të shtënë në drejtim të viktimës dhe video-incizimi janë provat e tjera nga të cilat rezulton se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehur Q.J. ka kryer veprën penale “Vrasje e rënd”.

Në dosje po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegjen e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.

Kujtojmë se lidhur me rastin është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit.

Kjo seancë është mbajtur në spitalin ku është i shtruar i dyshuari Q.J., pasi i njëjti në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët pasi mos bindjes së urdhrave të tyre.

Kastriot Zenuni, avokati i të dyshuarit ka bërë të ditur për KALLXO.com se gjendja e të dyshuarit gjatë seancës nuk ka qenë shumë e mirë.

Sipas tij, i dyshuari nuk ka qenë në gjendje të flas, por ka qenë në gjendje të përgjigjet me vetëm “po” dhe “jo”.

“Gjendjen nuk e ka pasur shumë të mirë. Përgjigje ka mujt me thënë po ose jo. Edhe doktori ka thënë që gjendja e tij është kështu. Rekomandimi i doktorit ka qenë që s’mundemi me malltretu me fol ai më shumë”, ka thënë Zenuni për KALLXO.com.

Në anën tjetër, ngjarja e ndodhur para dy ditësh është parë nga një njësi e policisë e cila në atë kohë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan dhe e plagosën të dyshuarin.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit është njoftuar se Inspektorati Policor i Kosovës është duke kryer hetimet e nevojshme.

Edhe Policia e Kosovës ka dal me një deklaratë për rastin. Policia ka thënë se në vendin e ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri (pistoleta) dhe shtatë (7) gëzhoja.