Biblioteka e Qytetit në Ferizaj është e vendosur në objektin më të vjetër të qytetit, për të cilin thuhet të jetë ngritur në vitin 1912. Objekti edhe si arkitekturë, edhe si pozitë zë një vend të rëndësishëm në hapësirat në qendër të qytetit. Ky objekt nëpër decenie kishte shërbyer për shumë veprimtari, madje një kohë kishte shërbyer edhe si burg.
Pas luftës së fundit në Kosovë, me ndihmën e një donacioni nga USAID-i dhe me mjete të komunës së Ferizajt u bë renovimi i këtij objekti që jo vetëm ruan moshën e këtij qyteti, por edhe është dritarja më e rëndësishme e tij, sepse aty banon libri. Biblioteka e Qytetit ose Biblioteka Publike, siç quhej pas çlirimit, më vonë mori emrin e njeriut që gjithë jetën ia kishte kushtuar librit, përkatësisht emrin e veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Sadik Tafarshikut, familja e të cilit i fali kësaj biblioteke bibliotekën e pasur të tij, e cila tani zë një hapësirë të rëndësishme në këtë bibliotekë.
Ndërsa rruga për në hyrje të këtij objekti nga qendra të shpie nëpërmes parkut të vetëm të qytetit, në hyrje të pret njeriu prej letre, përkatësisht skulptura e bërë me gazeta nga skulptori ferizajas Përparim Behluli.
“Kjo skulpturë prej gazetash që paraqet njeriun e pasionuar në leximin e librave, u bënë shumë përshtypje lexuesve dhe vizitorëve të shumtë që vijnë në bibliotekë. Kanë shumë kureshtje të bëjnë foto para kësaj skulpture që si duket i motivon njerëzit për lexim”, shpjegon për Gazetën Zëri, drejtoresha e bibliotekës, Teuta Demiri.
Hapësirat e bibliotekës këto ditë janë të zëna me pako mbushur libra. Biblioteka “Sadik Tafarshiku”, nëpërmjet një financimi të Komunës së Ferizajt është pasuruar me libra në vlerë prej 37.000 eurove. Ky është investimi më i madh që ka ndodhur në këtë bibliotekë. “Nëpër këto pako janë librat që kemi blerë për bibliotekë dhe që nëpërmjet një aktiviteti kulturor po presim t’i hapim dhe t’i vendosim nëpër rafte”, tregon drejtoresha Teuta Demiri, e cila me angazhimin e saj të pakursyer ka arritur që bibliotekën e qytetit ta shndërroj në institucionin më të rëndësishëm të kulturës në Komunën e Ferizajt.
Biblioteka për çdo vit regjistron rreth mbi katër mijë lexues të moshave të ndryshme. Biblioteka është e pajisur edhe me sallat e leximit. Salla e leximit për të rritur ka 80 ulëse, ndërsa ajo për fëmijë ka 20 ulëse. Interesimi i lexuesve për të shfrytëzuar këto salla është shumë i madh, veçmas ai i studentëve, sepse kushtet për lexim janë shumë të mira. Sipas drejtoreshës së bibliotekës për çdo ditë ka mbi 200 të interesuar për ta shfrytëzuar vetëm sallën e leximit për të rritur. Shfrytëzimi i librit bëhet nëpërmjet anëtarësimit të lexuesve, të cilët, për moshën e re paguajnë 2 euro n vit, ndërsa për të rritur paguajnë 5 euro.
Nëpërmjet kësaj anëtarësi biblioteka edhe arrin të krijoj një fond të mirë të mjeteve, por që të njëjtin e dorëzon në arkën e Komunës. “Nga anëtarësia për çdo vit arrijmë të krijojmë të hyra në vlerën prej mbi 10 mijë euro”, thotë drejtoresha e bibliotekës Teuta Demiri. Ajo, bashkë me stafin e saj, kujdeset shumë që brenda bibliotekës të ketë edhe aktivitete përcjellëse që kanë të bëjnë me librin. Këtu në bibliotekë organizohen takime të ndryshme letrare, si lexim poezish e promovim librash. Shënohen ngjarjet me rëndësi kulturore dhe datat e rëndësishme nga historia, por nuk mungon as bashkëpunimi ndërkulturor, madje edhe me karakter ndërkombëtar. Kështu nga qyteti Llozanë i Zvicrës, nëpërmjet një donacioni është krijuar edhe këndi i librave në gjuhën frënge. Madje miqtë nga Zvicra kanë investuar edhe 5000 euro në pasurimin e bibliotekës me rafte të nevojshme për libra. Ndryshe që nga paslufta, përkatësisht nga koha e investimit të USAID-it në renovimin e këtij objekti, ekziston këndi i librave në gjuhën angleze, libra këto që përdoren shumë nga lexuesit.
Me bibliotekën kanë raport miqësie edhe qytetarët e komunës, të cilët nuk hezitojnë të bëhen pjesë e kësaj biblioteke nëpërmjet dhurimit të librave dhe gazetave që i kanë ruajtur me vite. I fundit nga ata që kësaj biblioteke i ka dhuruar një fond të konsiderueshëm të revistave nga vitet 50 është mësuesi Naim Azemi.
“Kushtet për lexim në këtë bibliotekë janë mjaft të mira, qofshin ato në dimër apo në verë, çka e favorizon procesin e mësimit. Gjithashtu biblioteka ka fituar një traditë, që çdo nxënës apo student duhet ta shoh biblioteken si vendin kryesor për shfletim dhe studim”, thotë për Gazetën Zëri, student i fakultetit të mjekësisë në Tetovë, Florian Salihu.
“Ne bibliotekën e qytetit tonë ne studentët vijmë pothuajse rregullisht, sidomos gjatë kohës së provimeve kur edhe lirohemi nga ligjëratat. Jemi shume të kënaqur me kushtet, të cilat janë në këtë bibliotekë. Mund të shfrytëzojmë sallën e leximit, librat dhe po ashtu ambienti ku lexojmë është i përshtatshëm në çdo stinë, gjë që neve na bënë të ndjehemi komod gjate mësimit. Krejt kjo ndodh falë një stafi të shkëlqyer që kujdeset për rregullin dhe orarin, të cilin edhe ne lexuesit e respektojmë”, shprehet studentja e mjekësisë Azize Bajrami./Zëri