Ferizaj

Intervista me drejtorin e Drejtorisë së Kadastrit dhe kandidatit për Kuvend Komunal, z. Sabri Murseli

By FerizajPress

October 05, 2021

Kënaqësi të bashkëbisedosh me z. Sabri Murseli, Drejtor i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Ferizajt. Njeri që me profesionalizmin, sjelljen dhe moralin e tij ndryshoi perceptimin qytetar ndaj zyrtarëve publik. Z. Murseli, modesti,  i dashuri e i respektuari për të gjithë, siç e quajnë kolegët, bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, ka përfituar zemrat e të gjithë atyre që patën rastin të takohen një herë të vetme me të.

-Ferizajpress: I nderuar, kush është Sabri Murseli?

-Sabri Murseli: Së pari ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që ma keni dhënë për t’u shprehur në portalin tuaj! Unë jam një qytetar i Ferizajt, gjegjësisht jetoj në fshatin Nikadin. Sa i përket përvojave dhe shkollimit tim, kam të përfunduar fakultetin juridik dhe kam punuar në KQZ dhe gjithashtu kam qenë përfaqësues ligjor në njërën nga kompanitë më të madha të vendit-“HIB Petrol”. Pra, pak a shumë këto janë përvojat e mia para se të marrë detyrën e Drejtorit të Kadastrit në Komunën e Ferizajt.

-Ferizajpress: I nderuar, jo pak kemi dëgjuar për sjelljen tënde në raport me të tjerët, si është e mundur që të gëzosh kaq shumë respektin e të tjerëve?

-z. Sabri Murseli: Epo, mbase  është respekti dhe dashuria që ndjej për tjetrin arsyeja që kam fituar respektin dhe dashurinë tyre.

-Ferizajpress: Si e keni gjetur dhe si mendoni që duhet të bëhet drejtoria në të cilën jeni ju drejtor?

-z. Sabri Murseli: Të them të vërtetën nuk është se e kam gjetur drejtorinë në aso gjendje aq të keqe dhe kjo falë stafit të mrekullueshëm që punojnë në këtë drejtori. Por, atë që kisha dashur ta potencojë është se, jam munduar që ndërmjet drejtorit dhe stafit të drejtorisë barrierat të shndërrohen në bashkëpunim, mirëkuptim dhe raporte kolegiale. Për këtë gjë e shfrytëzoj rastin që ta falënderoj dhe z. Agim Aliun, Kryetarin aktual dhe kandidatin për Kryetar të Komunës, i cili më besoi dhe kërkoi nga unë që të sillem me njerëzillëk dhe korrektësi me çdo punëtor komunal, t’i trajtoj me respekt pavarësisht bindjeve të tyre politike.

-Ferizajpress: Para se të takohemi me ju, ne kemi takuar koleg dhe miq tuaj, vërtetët jemi të impresionuar nga ato që ata thanë për ju. Jeni mashtrues apo i sinqertë me ta, që keni arritur t’i përfitonit zemrat e tyre deri në këtë masë?

-z. Sabri Murseli: Të gjithë ata që më njohin e dinë se unë mundohem që të jam i sinqertë në atë që e them e e bëj. Gënjeshtra dhe tradhtia vërtetë janë të huaja për mua.

-Ferizajpress: Tashmë jeni dhe kandidat për Kuvend Komunal, pse duhet që të votojnë votuesit për ju?

-z. Sabri Murseli: Ajo që kisha dashur fillimisht është vota për të parin e komunës, apo njeriun që bëri ndryshime aq të mëdha në qytetin tonë, saqë thuajse e tjetërsoi tërësisht, pra për z. Agim Aliun, dhe pastaj përse duhet të më votojnë mua, sepse edhe unë sikur z. Aliu e dua Ferizajn ndryshe. Kur them ndryshe, kam parasysh pa korrupsion, në shërbim të plotë ndaj qytetarëve dhe me respekt e dashuri për ta.

-Ferizajpress: A jeni hakmarrës ndaj atyre që nuk votojnë për ju, qofshin ata punëtor nga stafi i drejtorisë të cilën e drejtoni ju?

-z. Sabri Murseli: Asnjëherë. Përderisa Zoti falë, si mund të jam unë hakmarrës?! Unë, sikurse dhe kryetari aktual, nuk i shohim kolegët me ngjyra partiake, por, për ne, është me rëndësi që kolegët tanë të jenë profesionist dhe të ndërgjegjshëm në raport me qytetarët.

-Ferizajpress: z. Murseli, faleminderit për këtë inetervist! Vërtetë qe kënaqësi që ju intervistuam.!

-z. Sabri Murseli: Faleminderit juve! Kënaqësia është e imja!