Lajme

Interesim i madh në konkursin për ushtarë të rinj – Mbi 5000 aplikacione

By FerizajPress

February 22, 2019

Konkursi i Ministrisë së Mbrojtjes për pranimin e rekrutëve të rinj – ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbyllet në orën 15. Në këtë konkurs pritet të pranohen 650 rekrutë të rinj, ndërsa deri më tani kanë aplikuar mbi 5 mijë të interesuar. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtori i Departamentit të Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, Skender Zhitia.

Ndonëse kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e konkursit për pranimin e rekrutëve të rinj – ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën ”Adem Jashari”, në Prishtinë ende ka shumë të rinj që po presin për të aplikuar në këtë konkurs. Në konkursin, i cili do të jetë i hapur deri në orën 15, deri më tani kanë aplikuar mbi 5 mijë aplikantë, thotë Zhitia.

”4474 janë meshkuj, 350 janë femra. Në kuadër të këtij numri janë edhe 122 aplikues që vijnë nga radhët e komuniteteve pakicë, që jetojnë në Kosovë”, sqaron ai.

Shumë të rinj e të reja, përgjatë 11 ditëve, kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për t’u bërë pjesë e ushtrisë së vendit. Njëra nga aplikueset, Blerta Veliu, 18 vjeçare, nga fshati Polac i Skenderajt, tha për Radio Kosovën se dëshira e saj është që të bëhet pjesë e FSK-së dhe t’i shërbejë atdheut.

”Pres që të pranohem, të gjithë e kemi këtë dëshirë. Megjithatë nëse nuk pranohesh kësaj radhë, a do të heqësh dorë nga ëndrra jote? Jo, do të vazhdojë të merrem me futboll, do të vazhdojë fakultetin dhe herën tjetër do të konkurrojë prapë”, tha ajo.Dëshirën që të bëhet ushtar i Kosovës e ka edhe i riu nga Rahoveci, Taulant Morina, i cili shprehet se të jesh ushtar është nder dhe privilegj.

”Për të kontribuar për vendin tim, shpresoj të arrij qëllimin e të bëhem ushtar i Kosovës. Do të aplikoj, ta provoj përsëri”, tha Morina.

Ndërkohë, Zhitia ka shfrytëzuar rastin që me këtë rast të riut nga Skenderaj, Isuf Halitaj, i cili ka pësuar aksident në afërsi të FSK-së, derisa kishte shkuar për aplikim, t’i urojë shërim të shpejtë.

E me shpalljen e tri ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, në gazetën zyrtare ka ndryshuar kriteri i moshës për aplikuesit që duan të bëhen pjesë e ushtrisë. Këtë vit mund të aplikojnë të gjithë personat nga 18 në 23 vjeç.