Radja Nainggolan ishte blerja më e bujshme e Interit këtë merkato vere, por një problem muskulor që në ndeshjet e para miqësore, ka bërë që belgu të mbetet jashtë skuadrës së Spallettit. Në Reggio Emilia, sfidën ndaj Sassuolos, Nainggolan e pa nga tribuna, teksa kamerat fiksuan një moment mjaft interesant, ku mesfushori belg, më shumë se te humbja e Interit, ishte i përqendruar të “shijonte” femrat që po i kalonin para syve. Gjithsesi në orët e fundit në Itali janë publikuar disa foto, ku shfaqet Nainggolan në diskotekë, nën shoqërinë e Fabrizio Coronës, pranë qytetit të Bergamos. Kaq ka mjaftuar që të shpërthejnë edhe tifozët zikaltër, të cilët nuk e kanë pritur aspak mirë këtë veprim te belgut. Kujtojmë që Nainggolan është një futbollist mjaft i mirë brenda katërkëndëshit të blertë, por mjaft problematik në jetën private, teksa ka dalë edhe publikisht si një konsumator i rregullt i duhanit. Debutimi zyrtar i tij me Interin pritet të dielën në mbrëmje me Torinon, ku edhe nëse nuk do të niset nga fillimi, pritet të marrë disa minuta në pjesën e dytë.