Pas debutimit për t’u harruar ndaj Sassuolos, ku u mposht me rezultatin minimal 1-0, Interi po vijon përgatitjet për ndeshjen e parë sezonale para tifozërisë zikaltër, që do të luhet në “San Siro”, të dielën në mbrëmje dhe mysafire do të jetë skuadra e Torinos. Trajneri Luciano Spalletti ka përgatitur disa ndryshime për krahasuar me formacionin që startoi përballë Sassuolos, teksa këtë fundjavë do të rikthehen nga minuta e parë Perisiç dhe Milan Skriniar, ndërsa Keita Balde është në balotazh me Matteo Politanon. Në stërvitjen e pasdites së sotme, tekniku zikaltër ka marrë një lajm mjaft të mirë nga infermieria, pasi blerja më e bujshme verore e Interit, Radja Nainggolan është stërvitur me skuadrën në pjesën më të madhe të seancës. Procesi i riaftësimit të belgut po ecën mirë dhe Spalletti “fërkon duart”, pasi mund të grumbullojë futbollistin për ta pasur të paktën në stolin rezervë, për sfidën e të dielës në mbrëmje ndaj “Granatave”. Interi do të kërkojë 3 pikët ndaj Torinos, pasi Spalletti e ka të qartë se një tjetër rezultat negativ në këtë start kampionati, do të ndikonte negativisht në aspektin psikologjik dhe do të komplikonte ecurinë e skuadrës gjatë sezonit.