Ferizaj

Institucionet shëndetësore të qytetit të Ferizajt shënojnë “15 Qershorin – Ditën e Shëndetësisë Ferizajase”

By FerizajPress

June 15, 2022

Institucionet shëndetësore të qytetit të  Ferizajt: QKMF, Spitali i Përgjithshëm, IRSHP, QSHM dhe delegatët e OIK-ut nga Ferizaj, për nder të “15 Qershorit – Ditës së Shëndetësisë Ferizajase”,  shpalosën dy ekspozita me pamje të punës dhe aktiviteteve gjatë periudhës së pandemisë dhe pas saj.

Ekspozita kryesore “Shëndetësia ferizajase përballë COVID -19”, u mbajt në oborrin e QKMF-së dhe Spitalit dhe në hapjen e saj ishin të pranishëm Kryetari i Komunës së Ferizajt z. Agim Aliu, Drejtori i DSHMS-së Dr. Kemajl Emini, punëtorë shëndetësorë veteranë dhe personeli shëndetësor i katër institucioneve shëndetsore ferizajase.

Kryetari Aliu dhe drejtori Emini i falënderuan punëtorët shëndetësorë për punën që kanë bërë në kohën e pandemisë dhe punën që po bëjnë dhe më tutje, si dhe ju uruan “Ditën e Shëndetësisë”.

 Ekspozita tjetër është mbajtur dje në “Shpellën e Kusarit” në Gjakovë me shpalosjen e punës së dhe aktiviteteve të Delegatëve të OIK-ut nga Ferizaj në bashkëpunim me Zyrën e Kryeinfermierit të QKMF-së, Drejtoreshës së Infermierisë të Spitalit të Përgjithshëm, koordinatorit të EVP-së nga QKMF dhe Zyrës së kryeinfermierit të IRSHP Ferizaj.

Kësaj ekspozite iu bashkuan dhe Kryeinfermierët e QKMF nga Gjakova dhe Prizreni, Drejtoresha e Infermierisë së Spitalit dhe IRSHP nga Gjakova, si dhe infermierë e delegatë të OIK-ut nga këto qendra dhe nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

Këto aktivitete u organizuan në bashkëpunim nga Zyra e Kryeinfermierit të QKMF,  Zyra e Drejtoreshës së Spitalit të Përgjithshëm, Zyra e Kryeinfermierëve nga IRSHP dhe QSHM, si dhe nga delegatët e OIK nga Ferizaj.