Ferizaj

Inspektorët e tregut dënojnë bizneset që mashtruan me çmime

By FerizajPress

April 03, 2019

Këtyre ditëve në territorin e Ferizajt është zhvilluar një aksion i gjerë i kontrollit të çmimeve të produkteve që ofrohen në tregun tonë.

Ky aksion ka rezultuar me evidentimin e një numri të konsiderueshëm të bizneseve të mëdha të cilat kanë manipuluar, mashtruar blerësit potencial duke ekspozuar çmime të ndryshme në vendin e ekspozimit, nga ato për pagesë në arkë.

Kjo ka bërë që inspektorët e tregut të veprojnë menjëherë me gjobë administrative që kap vlerën e mbi 1000.00€, si fazë iniciale e procedurës, konform parashikimit ligjor të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve.

“Inspektorati i Komunës është vigjilent në çdo sferë të fushës së tij të kompetencës, gjë që bën sigurinë e qytetarëve sidomos për produktet ushqimore dhe të tjera, dukshëm më të lartë e institucionet lokale thellësisht më të përgjegjshme ndaj afarizmit dhe rreziqeve me mashtrime që mund t’i bëhen qytetarëve” ka thënë Ridvan Berisha

Kryeinspektori i Ferizajt, Ridvan Berisha njofton se dukuria e mashtrimeve me çmime është e shpeshtë në qendrat tregtare dhe marketet e mëdha që afarojnë në territorin e Ferizajt dhe se për këtë ka angazhuar ekipe specifike që do të monitorojnë vazhdimisht këtë fenomen që prek direkt xhepin e qytetarëve dhe rrit pasigurinë për produktet që përdoren, apo janë pjesë e kësaj skeme mashtrimesh.

“Organizatorët e skemave të tillë mashtruese, bizneset që janë dënuar, pronarët dhe përfaqësuesit e tyre janë proceduar sipas legjislacionit në fuqi. Një sukses i tillë i jashtëzakonshëm i Inspektoratit të Komunës, për të cilën falënderimi publik i rezervohet qytetarëve që denoncuan disa nga këto raste, inkurajon këta të fundit që të denoncojnë edhe më shumë rastet të tilla të mashtrimeve me çmime, që me forcën e ligjit, të veprohet drejtpërdrejt nga Inspektorati i Komunës” ka thënë Kryeinspektori i Ferizajt, Ridvan Berisha.