Ferizaj

Inskenohet tërmeti në shkollën “Tefik Çanga” dhe çerdhen e fëmijëve ” Ardhmëria Jonë”

By FerizajPress

December 06, 2016

Ferizaj.06.12.2016. Inskenimi i një tërmeti ka bërë bashkë nxënësit e shkollës fillore “Tefik Çanga”, drejtuesit e saj, kryqin e kuq, njësinë policore të Kosovës, brigadën e zjarrfikësve e Qendrën kryesore të Mjekësisë familjare në Ferizaj.

Një inskenim i tërmetit gjatë ditës u realizua edhe në çerdhen e fëmijëve ” Ardhmëria Jonë” në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës.

Qëllimi i këtij simulimi ishte përgatitja e nxënësve për reagim në raste të tilla fatkeqësie. Një ushtrim të tillë i cili ngjante si në një ngjarje të vërtetë u vlerësua si shumë i rëndësishëm nga nxënësit e kësaj shkolle. Disa prej nxënësve gjatë këtij inskenimi patën edhe rolet e tyre si të lënduar në fatkeqësi gjë që sipas tyre i ka bërë që të mësojnë reagimin e duhur në raste fatkeqësie. Një simulim i i tillë i situatës në raste tërmeti u iniciua nga organizata Kryqi i Kuq. Sekretari i kryqit të kuq në Ferizaj, Fuad Behluli, tha se, ushtrime të tilla me nxënës janë më se të nevojshme. Theksoi se, besojnë që pas një kohe do të provojnë edhe inskenime të tjera për fatkeqësi të ndryshme. E, drejtoresha e shkollës fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj, Ganimete Konjufca, tha se plane kësisoj të detajuara për raste të ndryshme në fatkeqësi kanë qenë të munguara nëpër shkollat e Ferizajt.