Lajme

INPO kërkon zgjedhje të reja për përfaqësues dhe kryetar të bashkësive lokale në Ferizaj

By FerizajPress

December 16, 2016

INPO ka mbajtur një takim informues dhe koordinues me kryetar dhe përfaqësues të fshatrave të komunës së Ferizajt rreth rëndësisë së funksionalizimit të këshillave fshatrave dhe bashkësive lokale. Në këtë takim u diskutua rreth statusit të kryetarëve aktual të fshatrave dhe bashkësive lokale si dhe për problemet dhe sfidat me të cilat përballen ata.

Diskutimi u fokusua tek nevoja e organizimit të zgjedhjeve të reja për zgjedhjen e  këshillave dhe kryetarëve të fshatrave dhe Bashkësive Lokale, meqë procesi i kaluar i zgjedhjeve, kishte mbetur në gjysmë dhe nuk ishte përfunduar. Pjesëmarrësit ripotencuan kërkesën e tyre për organizimin e zgjedhjeve për bashkësi lokale, fshatra dhe lagje urbane në komunën e Ferizajt, meqë në bazë të akteve normative që rregullojnë themelimin, funksionalizimin dhe bashkëpunimin e bashkësive lokale me organet komunale, këto këshilla dhe kryetarët aktual të tyre nuk janë legjitim.

Në fund të takimit përfaqësuesit e bashkësive lokale ranë dakord që në bashkëpunim me INPO-n, të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe institucional për realizimin e kërkesave të tyre.

Ndërsa, sot INPO-ja ka deponuar kërkesë në zyrën e kryetarit të komunës Muharrem Svarqa, për organizimin e zgjedhjeve të reja në fshatra, vendbanime dhe lagje urbane të komunës së Ferizajt.

Këto aktivitete u realizuan në kuadër të projektit “Programi për Qeverisje të Mirë”, objektiv i së cilit është fuqizimi i Bashkësive Lokale në procesin e vendimmarrjes.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).”. /Lajmi.net/

.